E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bare: Kanë kaluar afatet e paraburgimit

REKURSI
Pas refuzimit të lirimit për shkak të skadimit të afateve, "kreu i bandës së Lushnjes" i drejtohet Gjykatës së Lartë

Avokati, pretendon se të pandehurit i janë shkelur të drejtat dhe mbahet në burg një vit e gjysmë më shumë sa parashikon ligj

TIRANË- Alfred Shkurti alias, Aldo Bare, i cilësuar nga prokuroria si kreu i "bandës" së Lushnjës, i është drejtuar Gjykatës së Lartë me dy kërkesa, për shuarjen e masës së sigurisë dhe lirimin e tij të menjëhershëm. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si dhe nga avokati i Aldo Bares, Vladimir Meçe.

Sipas këtij të fundit, me datë 28 janar 2009 pranë Gjykatës së Lartë u depozituan dy rekurse të firmosura nga klienti i tij. I pari është Rekursi mbi ankimin e vendimit të verifikimit të masës së sigurisë nga një gjyqtar i vetëm në kohën kur dosja ndodhej për gjykim dhe shuarjen e masës së sigurisë dhe lirimin e tij të menjëhershëm për shkak të humbjes së fuqisë së paraburgimit pasi kanë kaluar të gjitha afatet e izolimit të tij në burg të parashikuar në Kodin e Procedurës Penale.

Sipas rekursit, i pandehuri Aldo Bare po mbahet i izoluar në qeli me masën e sigurisë "arrest me burg" që nga 26 marsi i 2006, kur është arrestuar në Turqi për llogari të drejtësisë shqiptare e deri më sot, duke kaluar të gjitha afatet e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.

Çështja në ngarkim të Bares është regjistruar zyrtarisht më 10 korrik 2007 pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda për gjykim, duke filluar të ecin afatet e paraburgimit ndaj tij, ku deri më ditën e sotme kanë kaluar 2 vite 6 muaj e 10 ditë.

Ndërkohë, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe ajo e Apelit, në vendimet e tyre të masës së sigurisë, janë shprehur se afatet e paraburgimit të të pandehurit Bare kanë filluar të ecin që nga momenti i ekstradimit të tij në Shqipëri më 25 nëntor 2009. Ky arsyetim, sipas avokatit, është i gabuar pasi Bare ka qëndruar në Turqi i arrestuar për llogari të procedimit penal, për të cilën po gjykohet.

"Në kohën kur Aldo Bare qëndronte i arrestuar në Turqi, Prokuroria për Krime të Rënda, përfundoi hetimet dhe dërgoi çështjen në ngarkim të Bares për gjykim para Gjykatës për Krime të Rënda dhe në datën 10 korrik 2007, ajo regjistroi çështjen me nr.11 në ngarkim të Aldo Bares dhe Enver Dondollakut.

Më datën 8 maj 2009, çështja në ngarkim të Bares veçohet dhe regjistrohet si çështje në vete me nr. 93 të datës 29 maj 2009 dhe që tashmë ndodhet ende në gjykim,- tha Meçe.

Më tej ai sqaroi se gjatë kësaj kohe Bare vazhdonte të mbahej i arrestuar në Turqi dhe që nga 25 nëntori 2009, kur u ekstradua, ai vazhdon të mbetet në qeli me masën e sigurisë "arrest me burg".

"Sipas ligjit procedural penal dhe të drejtës procedurale penale,- thuhet në rekurs, mbrojtja është e detyruar të evidentojë se afati i paraburgimit nuk mund t'i kalojë për asnjë shkak e arsye caqet e përcaktuara prej 12 muajve.

Ndërkohë, afati tërësor i paraburgimit nuk mundet të kalojë caqet e përcaktuara në K.Pr.Penale, pra në çdo rast jo më shumë se 3 vite". Më tej në të thuhet se në këto kushte që nga data 10 korrik 2008, paraburgimi për Aldo Baren e ka humbur fuqinë, dhe, për efekt te Kushtetutës dhe Ligjit ai mbahet në burg në mënyrë të kundraligjshme, pa vendim, pasi paraburgimi ka plot 1 vit, 6 muaj e 10 ditë që e ka humbur fuqinë e tij.

Mbajtja në qeli tej afatit ligjor të Aldo Bares, tregon shkeljen dhe dhunimin e paprecedent të së drejtës së një qytetari të Republikës së Shqipërisë"- thuhet në rekursin e avokatit, që kërkon nga Gjykata e Lartë prishjen e vendimeve të dy shkallëve të gjyqësorit dhe lirimin e menjëhershëm të tij.

Bare, rekurs edhe për verifikimin e masës së sigurisë

Mbrojtësi ligjor i të pandehurit Aldo Bare, avokat Vladimir Meçe, i është drejtuar Gjykatës së Lartë edhe me një kërkesë të dytë, duke kërkuar pavlefshmërinë e procesverbalit për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së arrestit pas ekstradimit nga Turqia.

Sipas argumenteve të renditura nga avokati Meçe, pretendohet se verifikimi i kushteve të zbatimit të masës së sigurisë është kryer nga gjyqtari i hetimit, ndërkohë që dosja kishte kaluar për gjykim dhe ndodhej në duart e pesë gjyqtarëve të kësaj gjykatë.

"Me vendimin e datës 26 mars 2006, në shkelje flagrante të ligjit procedural dhe atij penal, Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur si masë sigurimi, në mungese, ndaj të mbrojturit dhe prej meje Aldo Bare atë të "arrestit në burg".

Më datë 25 nëntor 2009 Aldo Bare është ekstraduar nga Turqia në Shqipëri dhe me datë 26 nëntor 2009, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka zhvilluar seancën gjyqësore për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit dhe ka mbajtur edhe procesverbalin me nr.151 akti.

Kjo seancë gjyqësore është gjykuar nga gjyqtari i vetëm, Klodian Kurushi, i cili kishte dhënë edhe vendimin e masës së sigurisë të datës 26 mars 2009 për caktimin e masës së sigurimit "arrest me burg" për Aldo Baren, ndërkohë, dosja ndodhej për gjykim",-thuhet në rekursin e avokatit Meçe.

Më pas ka qenë Gjykata e Apelit e cila më datën 15 dhjetor 2009 ka vendosur mospranimin e ankimit ndaj aktit "procesverbal për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit".

Mbi bazën e këtyre pretendimeve, në fund të rekursit, kërkohet nga Gjykata e Lartë shpallja absolutisht e pavlefshme e procesverbalit për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së arrestit, që sjell automatikisht edhe shuarjen e kësaj mase sigurie "arrest me burg".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›