E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klodian Duro, gol edhe ekipit të sheikëve

Shkëlqen mesfushori i kombëtares. Këtë herë i shënon Mançester Sitit nga goditja e dënimit

Eshtë pa dyshim njeriu gol i Omonias në Kupën UEFA. Mesfushori i kombëtares, Klodian Duro, ka shënuar një gol spektakolar në ndeshjen e djeshme përballë Mançester Sitit, ekipit që financohet nga grupi i sheikëve arabë. Por ashtu si goli i Lorik Canës ndaj Liverpulit, edhe ai i Klodian Duros kundër Mançester Sitit nuk u shoqërua me një fitore. Omonia e mesfushorit shqiptar humbi 2 1, por ajo që ka më shumë rëndësi, është forma e shkëlqyer që paraqiti 31 vjeçari. Pas një pjese të parë me epërsi të anglezëve në raste, Omonia i fillon në sulm 45 minutat e dyta. Ishte minuta e 49 të, kur qipriotët patën të drejtën e një goditjeje dënimi pak metra afër zonës, nga krahu i djathtë i sulmit. Topin e merr Duro, dhe falë një goditjeje predhë, e dërgon direkt e në trekëndëshin e djathtë të portierit Hart, që nuk kishte se çfarë të bënte. Një gol i shkëlqyer i shqiptarit, që elektrizoi pa masë tifozërinë e Omonias. Për Duron ky ishte goli i tretë në Kupën UEFA, pas dygolëshit ndaj AEK ut, që bëri të mundur kualifikimin e qipriotëve. Pak para se të kalonte në avantazh qipriotët, futbollisti i kombëtares ishte ndëshkuar edhe me një karton të verdhë. Ndërkohë, me "yje" si Robinjo dhe Rait Filips, Mançester Siti bëri diferencën, duke arritur fitoren me dy gola të brazilianit Xho, në minutat 59 dhe 72. Por shqiptari i Omonias tregoi se nuk dorëzohej lehtë përballë ekipit të miliarderëve. Në minutën e 76 të, një goditje e fuqishme e Duros, kaloi ngjitur me shtyllën, ndërsa në kohën shtesë shpëtimtar i krosimin në formë gjuajtjeje të tij, u bë portieri Hart. Mediat qipriote e vlerësuan shumë paraqitjen e mesfushorit, që po kalon një formë mjaft të mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›