E Diel, 1 Nëntor 2026

Klodian Voko, më i miri në pistë në garën e Korçës

Rally Albania çmimet: Klasi I - Jusuf Onali, Klasi II - Shkëlzen Lajci dhe Klasi III- Elton Karaji

Garat e Rally Albania janë zhvendosur në ngjitje të malit të Moravës në Korçë, në një terren malor dhe me kthesa të shumta e të forta. Të vënë në garë pilotë të shumtë kanë pasur si synim jo vetëm finishin, por arritjen e shpejtë në një kohë sa më të shkurtër të destinacionit final. Në garë individuale për arritjen e kohës më të shpejtë u vunë dhjetëra pilotë. Turi i radhës ishte ai i garave me makina dhe motorë të etapës “hill tracing” që është mbajtur në një terren të vështirë për garat e shpejtësisë, për shkak të pjerrtësisë së madhe të rrugës në ngjitje dhe kthesave tepër të vështira e malore. Pjesëmarrës ishin 40 pilotë nga qytete të ndryshme të vendit dhe nga Kosova. Në distancën prej 10 kilometrash nuk kanë munguar as aksidentet. Dy mjete kanë dalë nga rruga në një nga kthesat më të vështira të kësaj gare në ngjitje, duke u përplasur pas faqes shkëmbore, gjë që ka sjellë edhe ndërprerjen për disa minuta të garave. Por fatmirësisht aksidentet kanë sjellë vetëm dëmtim të mjeteve, por një prej tyre ka dalë nga gara. Pilotët nuk i janë shmangur garës as në orët e mëngjesit, kur asfalti ishte i rrëshqitshëm nga lagështira dhe pak reshje dëbore. Pista ka qenë e vështirë më tepër për motorët. Për organizatorin Ervin Kasimati këto gara kanë qenë cilësore, pavarësisht problemeve të terrenit: "Kishte shumë vështirësi, por për këto gara ishte një pistë e përshtatshme, pasi janë gara që zhvillohen në rrugë malore dhe me kthesa. Morën pjesë pilotë që kanë garuar edhe herë të tjera, pra kanë pasur një eksperiencë dhe pjesa më e madhe e tyre kanë arritur një kohë të mirë shpejtësie, edhe pse ishte një pistë e vështirë". Kohën më të mirë të këtyre garave e ka shënuar piloti Klodian Voko (2’27”), duke marrë edhe çmimin e parë. Garat u zhvilluan në tri kategori, Klasi i Parë, i Dytë dhe i Tretë në varësi të tipit të makinës dhe fuqisë motorike. çmimet e këtyre garave u fituan përkatësisht: Klasi I nga Jusuf Onali, Klasi II nga Shkëlzen Lajci dhe Klasi III nga Elton Karaji. Ndërsa në garën e motorëve çmimi është fituar nga Anastas Lico.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›