Klodjana Shala tërhiqet nga Olimpiada, një dëmtim i vjetër shuan ëndrrën
Tiranë- Teksa të gjithë prisnin të shihnin debutimin e atletës shqiptare Klodjana Shala në Lojërat Olimpike Londër 2012 mbërrin lajmi që kampionja jonë është tërhequr nga gara për shkak të një dëmtimi të vjetër.
Mjeku i ekipit olimpik shqiptar në Londër, Mel Ostreni tha se Shala nuk është në kushtet e duhura fizike për të garuar në 200 metërsh ashtu siç edhe ishte parashikuar.
Është e vërtetë ka një dëmtim i cili është një dëmtim i vjetër që herë pas here i rishfaqet. Iu rishfaq në stërvitje, iu bënë të gjitha ekzaminimet në fshatin Olimpik nga mjekë anglezë, e shoqërova edhe unë. Iu bë dhe rezonanca magnetike me disa mënyra që ne nuk i bëjmë dot në Tiranë, kështu që rezultoi e dëmtuar. Menjëherë pas kësaj të nesërmen u gëdhi me temperaturë dhe në këto kushte vendosëm që ajo të mos marrë pjesë në garë, tha Ostreni, i pyetur nga TCH.
Sakaq mjeku ka sqaruar edhe pretendimet lidhur me skadalin doping të peshëngritësit Pulaku, sipas Ostrenit peshëngritësi shqiptar nuk i është nënshtruar dy testeve në Tiranë dhe për këtë fajëson Federatën e Peshëngritjes.
Nuk është e vërtetë që qëndra dhe komisioni anti-doping në Tiranë nuk vepron. Vepron, por njësia kohore që mbështetemi ne në Tiranë jashtë gare është e tillë që brenda 20-30 ditëve të jepet rezultati. Sportisti në fjalë nuk ka qenë fare në Tiranë dhe ka ardhur tre ditët e fundit. Në momentin që erdhi ia morëm analizat. Nuk e ka fajin komiteti por e ka fajin Federata e Peshëngritjes. Federata në qofë se do grumbullonte ekipin nuk dihet ta linte njërin në Amerikë, njërin në Bullgari dhe tjetrin në Greqi, por duhet ti grumbullonte të gjithë bashkë. Pulaku nuk ka qenë prezent dhe ka munguar në dy kontrolle që janë zhvilluar në Tiranë me justifikimin që ka qenë në Kaliforni. Ne i sugjeruam Federatës së Peshëngritjes që të kontaktonte me sportisitn dhe të paraqitej në Los Angeles, ku është qëndra e antidopingut për Kaliforninë, dhe ta bënte atje kontrollin, gjë që se bënë,- tha Ostreni.
Pas dështimit të peshëngritëses Ronela Begaj, skadalit me doping të Pulakut dhe së fundi lajmit që atletja Shala smund të garojë për shkak të dëmtimit duket se shuhet ëndrra e ekipit olimpik shqiptar për medalje në Londër 2012.
/IDEA/