Koha zero e grave
Nga Oralda Lahe
Të jesh grua, motër dhe nënë mbetet një sfidë e vështirë në momente kyçe të jetës personale. Nuk duhet të bëjmë viktimën e as përcaktimin si seksi i dobët, por të marrim atë që meritojmë. Në çdo shoqëri figura e femrës ka kaluar në shumë sfida e hallka nga më të voglat e deri tek më të komplikuarat. Megjithatë, kjo nuk është një nga ato thirrjet feministe gati të gjunjëzuara përpara realitetit gjysmak. Klithje që vijnë nga dera e fqinjit të brejnë shpirtin dhe pse nuk është hera e parë. Përpiqem të reagoj por nuk mundem.
Ai dhunon ndoshta nënën, gruan, vajzën jam në një hendek. Thashethemet nuk pinë ujë në këtë mes, por zëri i frikshëm femëror më ndjek si një krizë e shoqërisë shqiptare. Sot ai, i panjohuri, i paidentifikuari po ushtron dhunë fizike, psikologjike mbi një femër. Vërtet jeta private është e drejta e gjithkujt të mos cenohet. Koha ka ngrirë, jeta po frenohet për familjen X, që dhe pse jetojmë në të njëjtin pallat heshtim nga frika, pasiguria. Shumë syresh përplasesh në këtë rutinë fundërrinë që të hakmerret duke çjerrë si një mace me thonjtë e vegjël e të neveritshëm. Ajo nuk është një pronë që të shfrysh epshet, për të treguar forcën mashkullore dhe pushtetin e atribuuar nga nëna natyrë.
Requiem për nder të femrave të cilat sakrifikojnë dhe pikën e gjakut për një të ardhme të ndritur. Dhuna pjell dhunë e asgjë tjetër si një shfarosje e ulët e ditëve të zakonshme, të mbushur me pamje filmike monstruoze. Fatkeqësisht, për këtë kategori koha ka bërë një pakt të pistë duke u mbyllur në guaskën e tyre atë të numrit zero. Më i forti nuk është ai që tregon muskujt apo përdor armët për të arritur qëllimet e veta tinzare.
Shoqëria shqiptare ka nevojë për idhuj, figura, shembuj të fortë e të konsoliduar. Morali nuk na takon ne të rinjve për të bërë të mirët e të drejtët, pasi kemi nevojë të punojmë duke arritur maksimumin. Në rrethin vicioz të perceptimeve njerëzore dhuna stimulohet nga një sërë faktorësh socialë të dhimbshëm mes tyre dhe gjendja ekonomike. Në optikën e analizës për botën e ndërlikuar e cila na rrethon nuk rreshtim së menduari.
Idealja nuk ekziston ajo është e shkruar dhe jo e zbatuar. Nëse do të jetonim në një botë të realizuar monotonia sërish na prek me mërzinë e saj. Koha e zeruar të mban pas një rrugëtimi, atij të ndryshimit me 360 gradë si një apel për të mirën e vetes, personave të shtrenjtë dhe familjes të shëndoshë.