Klos, gjendet i masakruar 23-vjeçari i zhdukur prej tre ditësh
Gjendet i masakruar 23-vjeçari nga Burreli, i zhdukur që prej tre ditësh. I riu Fatjon Barmetaj u gjet i vrarë dhe groposur pranë urës së Hasit, pranë një karburanti. Sipas policisë, 23-vjeçari ka pasur në trup plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Barmetaj punonte si kamarier në një lokal dhe para tre netësh nuk është kthyer në shtëpi. Pasi kanë kontaktuar me gjithë miqtë e tij dhe të afërmit, famija Barmetaj ka kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e të birit. Policia nisi hetimet dhe pas shumë orë kërkimesh, rreth orës 18:00 të ditës së sotme, ka mundur të gjejë kufomën e të riut.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e krimit, ndërkohë që uniformat blu kanë shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Aktualisht, policia është duke hetuar mbi konfliktet e mundshme që mund të ketë pasur 23-vjeçari dhe që mund të kenë shërbyer si motiv për kryerjen e këtij krimi.
20 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Klos, gjendet i masakruar 23-vjeçari i zhdukur prej tre ditësh burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip