E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: Berisha, asnjë interes për të zgjidhur krizën

Akuza Sipas PS-së, krizën politike dhe ekonomike i shkaktoi Kryeministri

Socialistët akuzojnë Kryeministrin Berisha se nuk është i interesuar për ta zgjidhur krizën politikë në vend. Deputeti socialist, Blendi Klosi, vuri në dukje se refuzimi i Sali Berishës për të hetuar atë çfarë ka ndodhur në 28 qershor përbën provën më të qartë se Kryeministri nuk është i interesuar në zgjidhjen e krizës.

Sipas tij, nga ana tjetër po bëhen tashmë muaj që Sali Berisha po përpiqet t’u mbushë mendjen shqiptarëve se vendi nuk është në krizë, megjithëse çdo qytetar i thjeshtë i këtij vendi e ndjen krizën sa herë i duhet të fusë dorën në xhep për të blerë ushqim për familjen e fëmijët e tij. “Sali Berisha thotë se kriza është një trillim i opozitës, a thua se prej opozitës vuajnë minatorët, prej opozitës nuk gjejnë dot të drejtën e tyre banorët e Orikumit, prej opozitës po flaken në rrugë arsimtarët, prej opozitës po rritet papunësia e varfëria”, nënvizoi Klosi.

Deputeti i selisë rozë arsyetoi se Sali Berishës dhe mazhorancës së tij nuk i intereson nëse vendi është në krizë, pasi kjo qeveri e papërgjegjshme nuk është produkt i votës së lirë të shqiptarëve. “Dhe manipulimin e zgjedhjeve nuk e vuan Sali Berisha, por qytetaret e qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë. Për sa kohë standardet e zgjedhjeve demokratike të lira e të ndershme nuk do të arrihen, për sa kohë vota ndryshe do të hidhet në kuti e ndryshe do të numërohet, për sa kohë vullneti i popullit do të shtrembërohet ashtu siç ndodhi në 28 qershor, kjo situatë nuk ka për të ndryshuar”, nënvizoi ai.

Por nga ana tjetër, sipas deputetit socialist, për sa kohë do të lejohet manipulimi i zgjedhjeve, qeveria s’do të mendojë për shqiptarët, por vetëm për veten, pasi pushtetarët nuk do kenë frikë nga ndëshkimi i popullit me votë. “Të gjitha vështirësitë e problemet me të cilat përballen sot shqiptarët, që nga rritja e çmimeve e deri tek injorimi i të drejtave të banorëve të Orikumit e tallja me kërkesat e minatorëve, e kanë origjinën te manipulimi i procesit zgjedhor”, deklaroi Klosi. Dy ditë më parë edhe kreu socialist, Edi Rama, deklaroi se kriza ekonomike po fshihet ashtu si edhe kriza politike. Rama vuri në dukje se kjo është një qeveri e zhytur në krizën e keqmenaxhimit të financave për të përballuar detyrimet e veta kontraktuale, aq edhe me shpërfilljen e plotë që e karakterizon qeverinë në raport me qytetarin. “E them me përgjegjësi të plotë, se ajo që po del në dritën e diellit nga hapja e kutisë së Ruzhdies, është simetrike, e njëllojtë me atë që një ditë jo të largët do të dalë në dritën e diellit nga kutia e të dhënave të ekonomisë shqiptare, e cila është në një krizë të thellë. Nga ana tjetër, të dhënat mbahen të fshehura në një mënyrë që i kushton përditë e më shumë shoqërisë dhe do t’i kushtojë edhe akoma më shumë në të ardhmen ekonomisë së këtij vendi”, nënvizoi Rama.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›