Islandezët pritet ti thonë jo pagesës së borxhit
Islandezët, të futur prej disa vitesh në telashe, për shkak të krizës ekonomike, kanë marrë pjesë dje në një referendum në lidhje me planin e qeverisë për t’i paguar Holandës dhe Britanisë së Madhe 3.5 miliardë euro të humbura për shkak të falimentimit të një banke islandeze. Nëse islandezët do të votonin kundër një mase të tillë, atëherë kjo do të ishte një pengesë më shumë në rrugën e vështirë të islandezëve, për të dalë nga recesioni i thellë në të cilin është zhytur ekonomia vendase. Një pasojë tjetër do të ishte edhe mundësia e marrjes së një kredie nga FMN, si dhe do të reduktonte shanset për t’u pranuar në Bashkimin Europian. Kriza ekonomike-financiare ishte veçanërisht e rëndë në Islandë, një ishull vullkanik me 320 mijë banorë. Tri bankat më të mëdha të vendit, të cilat ishin zhytur në borxhe, pësuan një kolaps të jashtëzakonshëm gjatë krizës financiare të vitit 2008 dhe monedha vendase krona, pësoi humbje të mëdha. Një nga bankat që falimentoi ishte edhe “Icesave”, një bankë islandeze që ofronte përqindje të larta interesi. Ajo falimentoi së bashku me bankën tjetër “Landsbanki”. Në këtë falimentim humbën shumë para të holandezëve dhe britanikëve. Një mendim i qeverisë islandeze ishte pagesa me këste e këtyre parave nga vetë islandezët, por ata nuk ishin dakord para se vendimi të merrej me referendum. Pritet që rezultati i tij të jetë “jo” dhe kryesisht islandezët nuk patën probleme me idenë e pagesës se sa me idenë e termave të saj. Britania e Madhe dhe Holanda kanë bërë shumë përpjekje për të arritur aprovimin e pagesës dhe frika është se në rast se ato nuk do të marrin paratë e tyre, do të mbajnë një qëndrim shumë të ashpër ndaj Islandës për sa i takon anëtarësimit të saj në BE. Kushti i pagesës është që, duke qenë se Islanda është një vend i vogël, atëherë gjithsecilit prej banorëve të saj do t’i takojë që të paguajë në muaj 135 dollarë për tetë vjet rresht. Kjo shumë është një e katërta e një të ardhure mujore për një familje islandeze. Shumë islandezë nuk janë dakord që të paguajnë për gabime që i bënë bankierët, duke vendosur përqindje të larta interesi. Deri para votës, sipas sondazheve, islandezët në masë do ta refuzojnë një pagesë të tillë.
#