E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi i shqiptarëve grabit e plagos dy bashkatdhetarë

Greqi 15 emigrantë kanë sulmuar një banesë në ishullin Rodos, që ishte marrë me qira nga dy të rinj

Plot 15 shqiptarë kanë sulmuar një banesë në ishullin grek, Rodos, duke plagosur rëndë dy djem, gjithashtu shqiptarë, të cilët ndanin qiranë duke punuar dhe jetuar si emigrantë. Ngjarja e rëndë që ka shokuar opinion publik vendas, ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Sipas të dhënave, ngjarja ndodhi në zonën Afandu, ku kohët e fundit konstatohen ngjarje të shpeshta kriminale me protagonistë shqiptarë. Rreth orës 00:30 pas mesnate, në shtëpinë ku jetojnë dy emigrantë nga Shqipëria, futen fillimisht duke thyer derën kryesore tre djem shqiptarë. Që të tre mbanin hunj të trashë në duar dhe me to nisën të godasin dy shqiptarët e pambrojtur. Në këto momente, agresorët u kërkojnë viktimave të tyre të tregojnë se ku i kanë fshehur paratë. Kur morën hezitim prej tyre, mjaftoi një vërshëllimë dhe në pak çaste, plot 12 djem të tjerë shqiptarë ia behën brenda shtëpisë, që të gjithë me hunj në duar. Ajo që ndodhi më pas ishte shokuese. Që të gjithë iu sulën orendive shtëpiake, duke i shkatërruar, ndërkohë që disa prej agresorëve vazhdonin të godisnin dy viktimat e tyre. Disa minuta më vonë ia kanë arritur qëllimit, sepse kanë gjetur paratë që gjendeshin në shtëpi, rreth 22 mijë euro. Por në arrati nga grabitja nuk lanë pa marrë dhe sende të tjera që kishin dy emigrantët. Me t’u larguar banda prej 15 kriminelësh, dy shqiptarët kanë telefonuar policinë, duke kërkuar ndihmë. Me të mbërritur, forcat policore i kanë dërguar dy të dëmtuarit për mjekim në spitalin lokal. Nga hetimet e para dhe marrja në pyetje e të plagosurve, bëhet e ditur se ata i njihnin nga pamja tre djemtë që hynë të parët në banesën e tyre, kurse nuk kishin parë kurrë më parë 12 të tjerët. Policia komunikoi se ka arritur të kapë një prej të dyshuarve që i përket grupit të tre të parëve që sulmuan shtëpinë dhe nga kontrolli i kryer në banesën e tij ka sekuestruar si prova materiale tre shkopinj të trashë bejsbolli me lartësi 70 centimetra. Policia pohoi se një sulm në përmasa të tilla ndaj një shtëpie dhe banorëve të saj nuk kishte ndodhur më parë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›