Berisha: Nuk duhet të mbetemi peng i së shkuarës
TIRANË Kundrejt qëndrimit kritik të socialistëve ndaj qeverisë dhe masave që ata paralajmërojnë të marrin në Kongresin e 5 nëntorit, kryeministri Sali Berisha ka vijuar takimet në bazë duke zhvilluar dje një takim të zgjeruar me kryetarët e njësive vendore, bashki dhe komuna, të qarkut Dibër, me praninë edhe të deputetëve të qarkut, drejtuesve të administratës shtetërore, përfaqësues të shoqërisë civile që veprojnë në këtë qark. Takimi kishte qëllim diskutimin mbi forcimin e partneritetit dhe bashkëpunimit në kuadër të zhvillimit rajonal dhe decentralizimit. Kryeministri Berisha u fokusua në dy çështje kryesore: thellimin e decentralizimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm rajonal.
Duke folur për rëndësinë e decentralizimit, Kryeministri i njohu përfaqësuesit e pushtetit vendor me lëvizjen e qeverisë në drejtim të decentralizimit fiskal, përmes transferimit të taksave pushtetit vendor. Kështu, nga 27 taksat kombëtare, qeveria do të mbajë vetëm 6 dhe të tjerat do t’ia transferojë pushtetit vendor, po ashtu 25 për qind të çdo rente do t’i kalojë pushtetit vendor. Berisha ka kërkuar më shumë punë, duke shtuar se nuk duhet jetuar me kompleksin e së shkuarës. “Ne duhet të jemi shumë ambiciozë. Ne jemi në garë dhe nuk duhet të jetojmë asnjë minutë me kompleksin e së shkuarës. Ne ia dalim! Kjo duhet të jetë motoja jonë. Atë që kemi bërë në 20 vjet, ju garantoj se nuk e ka bërë asnjë komb tjetër. Ne jemi njerëz punëtorë. Vuajtja, mundimi, të gjitha kanë qenë stimul për ne, për ta ndryshuar më mirë këtë vend. Por ne kemi potenciale të jashtëzakonshme, qoftë turistike, të cilat kanë qenë të gjitha të ngrira, pasi kur nuk ke rrugë, e ke të ngrirë edhe turizmin, potenciale të tjera shumë të mëdha dhe zhvillimi i tyre bëhet i mundur vetëm me angazhimin e përkushtimin tuaj”, - tha ai. Berisha kërkoi gjithashtu që çështja e pastërtisë së mjedisit të jetë një çështje themelore. Kryeministri mori pjesë edhe në inaugurimin e investimeve publike në qarkun Dibër me vlerë 1 miliard e 100 milionë lekë. Ai akuzoi sërish opozitën si shkaktaren kryesore për mosmarrjen e ftesës për statusin e vendit kandidat