Klosi: Kutitë janë të panegociueshme
Sekretari organizativ në selinë rozë, Blendi Klosi, konfirmoi dje se kushti për hapjen e kutive është i panegociueshëm. Sipas Klosit, kutitë do të hapen me ose pa Berishën. “Por Partia Socialiste është po ashtu e vendosur që të bëjë transparencën e plotë të zgjedhjeve me ose pa Sali Berishën, dhe këtë hetim ai nuk e ndalon dot as me dëshirën e tij e as me forcën e pushtetit”, tha ai. Klosi, në emër të PS, bëri me dije qëndrimin në mbështetje të dialogut në tryezën e Presidentit për t’i dhënë një zgjidhje krizës së rëndë politike, me të cilën po përballet sot vendi. “Partia Socialiste thekson me forcë qëndrimin e saj se zgjidhja e krizës mund të arrihet vetëm përmes transparencës së plotë të zgjedhjeve, çka thuhet shprehimisht edhe në rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës”, nënvizoi deputeti socialist.
#