E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kavajë, nënë e bijë mund të jenë vrarë

Policia nuk gjen dot arsye bindëse për vetëvrasjen “alla Argjiro”: Nuk kishin probleme
Irma dhe Valentina, nënë e bijë mbyllin jetën në mënyrë ende të mistershme. Tragjedia e rëndë e familjes Daullja ka tronditur qytetin e vogël të Kavajës dhe mbarë opinionin shqiptar. Që në mëngjesin e djeshëm, ngjarja u konsiderua nga më të rëndat, ndërsa rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë ngjarje mbeten ende të rrethuara nga misteri. Hetimi është përqendruar në pistën e vetëvrasjes, por pa përjashtuar atë të një vrasjeje të mundshme, pavarësisht se mungojnë shenjat e dhunës në trupat e viktimave. Nënë e bijë janë hedhur nga lartësia e një pallati në të cilin banonin. Trupat e tyre janë gjetur të vdekur në trotuar rreth orës 06:50 kur është njoftuar edhe policia e qytetit. Në urgjencën spitalore të Durrësit ku ato janë çuar, shefi i këtij shërbimi mjeku Ashim Zogu pohon për “Shqip” se si vajza e vogël ashtu dhe e ëma kanë shkuar të vdekura dhe janë dërguar menjëherë në morgun e spitalit. Nga hetimet paraprake rezulton se 22-vjeçarja Irma Daullja është hedhur së bashku me vajzën e saj 2-vjeçare, Valentina nga tarraca e katit të tetë të pallatit ku banonin. Rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike kanë mbetur ende të paqarta. Si është ngjitur deri në tarracë Irma me të bijën, ndërsa në apartamentin e tyre mungonte ballkoni nga ajo anë e rrugës ku janë gjetur. Irma ishte nga fshati Qerret i Kavajës, ndërsa i shoqi nga Kuçova. Ai njihet si njeri punëtor dhe pa probleme. Të afërm të familjes janë shokuar nga humbja e dyfishtë së cilës nuk dinë t’i vënë një emër pasi nuk dinin që Irma të kishte konflikte a probleme aq të mëdha sa ta çonin në një fund të tmerrshëm bashkë me të bijën, Valentinën e vogël. Fqinjët gjithashtu thonë se Irma ishte një grua e qetë dhe nuk dukej të kishte probleme. Me aq sa e njihnin dinë të thonë se ka qenë babai i Irmës që e ka ndihmuar familjen e re për të blerë një shtëpi në qytet dhe për të ndërtuar jetën aty. Viktima vinte nga një familje e njohur e Qerretit dhe me toka të shumta në pronësi të saj. Fqinjët tregojnë se babai i Irmës kishte shitur një pjesë të tokës për të ndihmuar të bijën në blerjen e apartamentit, ndërsa i shoqi, Keli, punonte në një gomisteri për të siguruar jetesën e familjes. Specialistët e hetimit të krimit kundër personit në Komisariatin e Policisë së Kavajës në drejtimin e prokurorit të çështjes kanë shoqëruar në polici bashkëshortin e viktimës dhe të afërm të tjerë të dy viktimave për të marrë deklarimet e tyre në lidhje me sqarimin e rrethanave. Burimet zyrtare policore thanë se paraprakisht po hetohet në pistën e një vetëvrasjeje, pasi viktimat, nga këqyrja që bënë ekspertët mjekoligjorë nuk kishin shenja dhune. Zëdhënësja e policisë së Qarkut Tiranë, Alma Katragjini, mohoi informacionet për arrestim të bashkëshortit si nxitës në vetëvrasje. Ajo tha se deri pasditen e së premtes ai ka qenë i shoqëruar, pasi mungojnë provat që e përfshijnë atë në akuza konkrete. Të afërm të Irmës thanë se nuk kanë qenë në dijeni për konflikte të thella a keqtrajtime nga ana e bashkëshortit, Kelit nga Kuçova ndaj 22-vjeçares, prandaj dhe ngjarja vishet akoma dhe më shumë me mister. Ndërkaq, mungesa e gjakut në vendin ku u gjetën viktimat dhe prania e tij vetëm si rrjedhje nga goja e tyre e zhvendosin hetimin dhe në një tjetër pistë, por do të jetë autopsia që do të saktësojë shkakun e vdekjes, ndërsa hetimet e mëtejshme të Prokurorisë së Kavajës do të hedhin më shumë dritë mbi shkaqet që çuan në këtë dramë familjare që godet mbarë shoqërinë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›