Ndryshon ligji për zgjedhjet e përgjithshme
Shqiptarët e Malit të Zi humbin hyrjen në Parlament
Edhe pse që të gjithë deputetët e partive nacionale parlamentare shqiptare kanë qenë këmbëngulës, që me ligjin e ri zgjedhor, i cili është në periudhën e finalizimit, të definohet njësia e posaçme zgjedhore shqiptare, nga e cila do të dilnin 5 deputetë, përvojë kjo që aplikohet tash 13 vjet në Malin e Zi, grupi punues kuvendor nuk e mori parasysh këtë. Pikërisht pesë deputetët shqiptarë nga zona e posaçme e tyre zgjedhore, ishin përcaktues që Mali i Zi të shpallet shtet i pavarur dhe sovran dhe të miratojë Kushtetutën e re, që e definon këtë. “Mali i Zi do të jetë një njësi zgjedhore, pa mandate të garantuara për çka kanë insistuar shqiptarët dhe në Parlament do të mund të hyjnë komunitetet që e kalojnë kufirin e karakterit qytetar prej 3 përqindësh”, thotë bashkërenduesi i grupit punues parlamentar, Miodrag Vukoviç, duke theksuar se përveç përfaqësuesve shqiptarë, të gjithë anëtarët e tjerë ishin unikë për këtë model. Përfaqësuesi i socialistëve në pushtet, Vukoviç, nënvizon se bashkësitë nacionale, të cilat në numrin e përgjithshëm të popullsisë marrin pjesë me mbi 2 për qind, duhet të arrijnë pragun prej 3 përqindësh.
Sipas tij, këtë model e kanë pranuar të gjitha partitë përveç atyre shqiptare, të cilat kërkojnë përfaqësim autentik sipas ligjit të deritashëm. Përfaqësuesi i Partisë Boshnjake, Kemal Purishiç, vlerëson se minoritetet, që në strukturën shtetërore janë më pak se 2 për qind (siç janë kroatët), nuk mund të arrijnë kushtin për t'u përfaqësuar në Parlament. Kështu, pas një debati dyvjeçar shumë të nxehtë politik, merr fund insistimi i shqiptarëve për pesë mandatet nga zona e tyre zgjedhore. Ky propozim i ligjit së shpejti do të miratohet në Parlamentin malazez.
#