Klosi: Ne ishim e majta e vërtetë, barrikada e parë kundër Berishës, por tradhtuam votuesitNga Faktori PlusFlet për marrëveshjen PD-LSI një nga themeluesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Fatos Klosi Sa lehtë u pranua ky vendim prej Konventë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Klosi: Ne ishim e majta e vërtetë, barrikada e parë kundër Berishës, por tradhtuam votuesitNga Faktori PlusFlet për marrëveshjen PD-LSI një nga themeluesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Fatos Klosi
Sa lehtë u pranua ky vendim prej Konventës së LSI?
Relativisht lehtë do të thosha, për sa kohë që në një Konventë të tërë vetëm dy zëra qenë ndryshe nga të tjerët. Megjithatë qe një Konventë e ndryshme nga herët e tjera, se nuk ka qenë kurrë e qartë se kush ka qenë Konventa e LSI. Më shumë ka qenë shqetësimi për mbushjen e sallës sesa çështje protokolli. Mirëpo sot salla ishte mbushur gjysmë ore përpara.
Cili ishte me pak fjalë qëndrimi juaj në Konventë?
Qëndrimi im qe thjesht paraqitja e opinionit tim. Është e gabuar, shumë e gabuar kjo ndërmarrje që ka marrë kryetari i partisë. Unë e thashë, ishte jashtë tekstit që kisha përgatitur, se më detyruan ata që fishkëllenin në sallë.
U fishkëllye fjalimi juaj?
Po, po. Pati replika nga salla, megjithëse Iliri u përpoq, për këtë i jam mirënjohës, që të mbante rregullin dhe qetësinë. Tha: “Ta dëgjojmë, është miku ynë.” Por, thashë, kryesorja është se ata që bënë marrëveshjen me Berishën kanë dalë të humbur prej saj, ndërsa Edi është shumë më i fortë. Argumentet që përdoren për ta justifikuar këtë marrëveshje, për mua janë fare pa bazë. Të shqetësohet një parti e vogël e opozitës, nëse mund ta quajmë veten opozitarë, sepse bisedimet ende nuk kanë filluar dhe nuk e dimë se çfarë do ofrojë Berisha dhe sa do pëlqehet ajo që do ofrojë Berisha, megjithëse unë kam bindjen që këto gjëra janë sqaruar me kohë. Një parti e vogël të shqetësohet se qeveria është në krizë, më duket e paarsyeshme, në qoftë se e quan veten opozitë. Është detyra e opozitës që krizën ta thellojë, pavarësisht se jemi direkt pas një palë zgjedhjesh. Por, kur më pyetën atje se cili është varianti jot, çfarë propozon ti, thashë normalisht atë që kam dëgjuar edhe në media. Meqenëse rezultati është kaq pothuaj i barabartë, një qeverisje serioze e vendit është e pamundur. Atëherë duhet menduar për zgjedhje të tjera, me një Kod tjetër, me kushte të tjera, jo me Berishën kryeministër. Mbase gjërat shkojnë më mbarë!
Pse nuk u prit së paku certifikimi i rezultateve? A mund të ndihet fajtore LSI që mund të ndikojë në procesin e manipulimit?
Shiko, edhe profesor Xhufi, edhe unë, këtu këmbëngulëm më shumë sesa te përmbajtja e marrëveshjes, më shumë te modaliteti si u krye. Ngutja kaq e madhe vërtet të lë një shije të hidhur. Ne kishim vendosur në kryesinë e LSI që pa mbaruar edhe numërimi i kutisë së fundit nuk do të prononcoheshim duke bërë deklarata.
Kjo ishte një ditë para se të shpallej koalicioni?
Një ditë ose dy ditë, një ditë e gjysmë përpara se të shpallej.
Kur e morët vendimin e ankimimit të parregullsive?
Kur morëm vendim që ne të punojmë me vrull, me forcë, për të mbledhur të gjitha faktet që mund të na çonin në një ankimim zyrtar të procesit zgjedhor në humbje të LSI. Dhe kështu e lamë, të mbarojë procesi dhe ne do prononcohemi dhe gjithmonë politika jonë do jetë që të mbrohen interesat e LSI. Ndërkohë që mua personalisht më ra vërtet si bombë, kur dëgjova që Ilir Meta është prononcuar. E pashë në televizor dhe s’u besoja syve.
Kishte shenja të tilla gjatë fushatës?
Jo gjatë fushatës. Unë të them të drejtën nuk jam angazhuar fort në këtë fushatë, por e kam ndjekur sigurisht fushatën e LSI, me ato mundësi që ka krijuar media, se dhe për to u ankuam sot. Dhe nuk e kam ndjerë një gjë të tillë.
Çfarë menduat, kur dëgjuat deklaratën e Priftit, i cili ishte i pari që pa mbaruar zgjedhjet foli?
Shiko, Dritanin gjithnjë e kemi quajtur një njeri që ka qenë ndërmjetës i LSI me PD. Nuk u çudita fare. Është konsideruar dhe e pranojnë të tërë këtë dhe emocionalisht e justifikuam. Dritani ka pasur probleme të mëdha në qarkun e Fierit. Në qarkun e Fierit, duke qenë i majtë, domethënë me LSI, ka krijuar PS vetë probleme pa fund dhe sigurisht i lodhur, i sfilitur nga një fushatë shumë e vështirë, e quajtëm që emocionalisht justifikohej. Dhe vërtet, kur dhe Meta mbajti këtë qëndrim në mbledhjen e kryesisë, e quajtëm që është një shfaqje emocionale e Dritanit.
Vetë zoti Prifti la të kuptohej që Berisha, PD, e kishte ndihmuar në procesin e numërimit të votave, a duket se ka pasur një marrëveshje paraprake me të?
Jo, ai tha që duke e parë veten në pozita të vështira, kur priste shumë dhe kur po vinin informacione që PS po vinte dorë mbi votat e LSI, i kishte kërkuar Berishës ta mbronte dhe ai e mbrojti dhe mandati i LSI fitoi në Fier.
Qëndrimi juaj ose rekomandimi juaj në Konventë cili ka qenë?
Unë kryesisht dhashë opinionin tim që ne po gabojmë dhe sidomos po ngutemi me këtë që po bëjmë. Pastaj më kërkuan që të jepja një versionin timin, çfarë duhet të bëjmë. U thashë, të them të drejtën pa u menduar shumë, pasi nuk ma ka lënë njeri këtë detyrë që unë të rri të reflektoj, të pyes, se gjërat nuk improvizohen, se janë gjëra vërtet shumë të mëdha, dhashë një përgjigje. E mendova të arsyeshme një qeveri teknike, një qeveri të të gjitha formacioneve politike, e cila të kishte detyrë themelore një Kod të ri Zgjedhor, përgatitjen serioze të procesit zgjedhor, jo kartat e identitetit, jo listat, jo qendrat, jo numërimi etj., në mënyrë që të venim në zgjedhje me një qeveri jopolitike, por një qeveri teknike, e baraslarguar të themi nga forcat politike, me shpresën, s’mund ta themi bindjen, që do bëhet ashtu siç duam, pra me shpresën që pas një viti zgjedhjet të ishin më serioze dhe më të pranueshme nga të gjithë.
Qëndrimet e zotit Xhufi pas jush ishin pak më të moderuara?
Zoti Xhufi foli para meje, por nuk mund të them se ishin më të moderuara. Ai u përqendruar vetëm në një aspekt, atë të ngutjes.
Kishte ndonjë shpjegim për ngutjen?
Shpjegimi ishte ky, që s’mund ta lëmë vendin në krizën që po acarohet. Sigurisht, nuk është një argument, është një shfajësim, një argument më shumë shfajësues sesa një argument mbështetës. Ideja është kjo që gjasat po shkojnë për keq, në qoftë se nuk do të ishte shpallur që tani një qeveri e qëndrueshme, do të diskutohet gjatë muajve të verës, do acarohet situata. Është në dëm të kombit kjo gjë. Për mua pra është thjesht një shfajësim.
Ka pasur në Lëvizjen Socialiste për Integrim, ose si të thuash Ilir Meta ka ngritur një legjendë, mbi faktin e së cilës LSI është baza reale e socialistëve të vërtetë. Dhe me këtë ka përdorur praninë e shumë figurave socialiste në LSI, përfshi zotin Brokaj, ju, zotin Braho. Cili është qëndrimi i kësaj pjese socialiste?
Ne me këtë ide u ndamë nga PS. E para, ta themi troç, PS na përzuri, nuk u ndamë, na përzunë. Por mund të kishim shkuar secili në punën e vet, ndërsa preferuam që t’i hyjmë një ndërmarrjeje që s’është e thjeshtë, sidomos për Ilirin, edhe për ne të tjerët, me idenë që do bënim vërtet një gjë, si të thuash. Unë në fakt kam shpresuar që do bëjmë një gjë më serioze, më të mençur, një gjë më racionale sesa LSI. Domethënë, do ishim forca e vërtetë e majtë dhe kështu e kemi thënë gjithandej lart e poshtë. Madje, ne i kundërviheshim parullës së PS, që “Kush voton për LSI, ka votuar për Berishën”. Jo, ne jemi nga ana tjetër. Midis nesh dhe Berishës është Partia Socialiste, ne jemi e majta e vërtetë e gjëra të tilla. Dhe këtë e thashë dhe sot unë në Konventë. Me këtë, thashë, ne demaskuam veten, sepse e kemi vënë veten me keq se ata socialistë, që për interesa personale kanë bërë ndonjëherë dhe ndonjë marrëveshje me Berishën. Ndërkohë ne po bëjmë një marrëveshje të tillë me Berishën. Ne nuk po i japim oksigjen, ne po e ringjallim Berishën. Se dikur thamë për Fatosin, që kur e ndihmoi të zgjidhte presidentin, ne i dhamë oksigjen, e majta i dha oksigjen, ata deputetë që Fatosi detyroi të votonin. Kurse këtë radhë ne kemi bërë shumë më tepër. Nuk është më Berisha me ata deputetë që ishte, me qeverinë që akoma funksionon, kishte shumë më tepër mbështetje. Berisha do ishte 70 me 70, nëse e majta do ishte bashkë. Kështu që ta ndihmosh në këto momente Berishën, praktikisht është ta shpëtosh. Dhe s’është hera e parë.
Ka pasur një sërë emrash, përvesh jush, që përfaqësonin shtresën tradicionale, përveç jush që jeni shprehur. Cili është qëndrimi i emrave të tjerë?
Dihet që profesor Sabitin, Pëllumbin, nuk i vura re sot, nuk merrte pjesë fare Ndre Legisi.
Domethënë ka njëfarë stepjeje?
Nuk them një stepje. Shumica ishin në tribunë.
Ka pasur një pozicion ideologjik LSI, me aq sa ju dini?
Jo. Unë shpresoja se do të kishte një pozicion ideologjik. Por ne kemi pretenduar që kemi qenë pragmatistë, jo idealistë, pra nuk kemi pasur një pozicion ideologjik. Ne kemi pasur një pozicion, jo të përfitonim, por të shfrytëzonim situatat, për të qenë faktor.
Nëse flasim për socialistë tradicionalë që kanë qenë në këtë parti, a mund të flitet dhe për faktorë që mbështesnin PD, përveç Dritanit?
Kemi pasur kokrra të vogla, që ne i dinim dhe që sillnin shpesh në forumet tona frymën e një kompromisi të mundshëm dhe të zbutjes së situatës në lidhje me PD. Megjithatë, baza kryesore e partisë sonë ka dalë kryesisht, ka pasur dhe njerëz që për herë të parë kanë milituar në këtë parti, por shumica kanë ardhur nga PS, të pakënaqurit nga PS. Pra, unë jam i bindur që jo, pavarësisht nga Konventa, e cila u zhvillua në atë formë që u zhvillua dhe e prisnim, nuk është se u bë për të marrë vendim, siç votohet unanim, pa votuar në fakt, vetëm nga zhurmat. Por, unë kam pasur informacion nga baza që ka pakënaqësi, sidomos në Mallakastër, po e them me bindje, se me ta kam qenë në kontakt gjithë këto ditë, ku PS ishte votuar 70 për qind. Në zgjedhjet e fundit, pra, kur njerëzit janë të majtë, janë ndjerë shumë ngushtë, sepse ne zhvilluam një fushatë deri ditën e fundit, duke pretenduar të dalim të parët në barrikadën e parë kundër Berishës dhe mbas nesh vinte PS. PS, shpesh herë me kompromiset e saj, ne e kemi quajtur se ka marrëveshje të fshehta me Berishën. Kështu kemi thënë. Ndërkohë që ne ishim në barrikadë të parë. Kështu që vërtet njerëzit poshtë janë vënë në pozitë të vështirë.
Ka pasur një kauzë kryesore LSI kundër të dyve, e cila ka të bëjë me Kodin Elektoral. A u diskutua ky si një kusht? A u diskutua se mund të zgjidhet kjo me Berishën?
Të paktën kështu u tha. Që duke qenë brenda qeverisë, do ta kemi më të lehtë ndryshimin e Kodit, ose do ta vëmë si një nga kushtet. Por, nuk e di. Ka probleme plot në fakt, pasi nuk më duket që ndërmerret një hap kaq i rëndësishëm në jetën e partisë sonë, të bësh aleancë me qeverinë e djathtë, që për pesë vjet me radhë, që kur është krijuar partia jonë dhe ne si persona, që kur jemi marrë me politikë, e kemi pasur si kundërshtarin tonë kryesor dhe papritur të kalosh në anën e tij, kjo s’është një gjë që improvizohet. Iliri u mundua që të na tregojë se ishte një telefonatë e Berishës, pra ka qenë një iniciativë e Berishës, dhe një përgjigje e tij dhe u zgjidh. Do ishte një dritëshkurtësi e madhe nga ana e Ilirit që me dy telefonata mori këtë hap kaq të madh. Unë jam i sigurt që gjërat janë vendosur. Fakti që cilësohet se do të jetë transparenca, e cila do të shoqërojë këtë proces bisedimesh, është i kotë, pasi gjërat janë vendosur me kohë dhe transparenca do të jetë me pikatore. Unë këtë e quaj një marrëveshje aspak transparente. Ngutja më duket sikur është e urdhëruar. Kaq shpejt vetëm me urdhra bëhen gjërat, as me mirëkuptim, as me konsensus.
Ka pasur një spekulim që ka pasur ndërhyrje të diplomatëve të huaj, por ambasada amerikane sqaroi publikisht se ajo nuk ka ndërhyrë kurrsesi në pazaret e Berishës dhe Metës.
E dëgjova dhe më erdhi mirë që ata bënë një sqarim të tillë, pasi shpesh abuzohet me ta. Të tjerët janë shumë pak të interesuar në Shqipëri. Fqinjët kanë interesa më të forta, sigurisht, se është normale dhe unë po them ishallah nuk është me urdhër.
Ti thua që mund të jetë ndonjë negociatë ballkanike?
Ballkanike.
Ka një problem LSI me katër mandatet që ka marrë. Prifti thotë që e ka marrë në Fier me ndihmën e Berishës, Lefter Koka e ka marrë në Durrës vetë, natyrisht duke investuar personalisht. Kemi një mandat të Beratit, i cili është tradicional i LSI, kurse zoti Meta ka dalë deputet edhe për shkak të koalicionit, pra rrudhen shumë mandatet e LSI, nëse flasim në emër të LSI. Sa do t’i rezistojnë këto katër vota koalicionit? Do të jenë gjithmonë besnike?
Kam përshtypjen se një që tani është gjysmë i tërhequr, nuk e di. Nuk kam informacion, në kuptimin që të kem biseduar vetë, pra janë gjëra të dëgjuara. Iliri me Dritanin është i sigurt.
Ai që bie në sy është fakti që zoti Meta ka këmbëngulur vazhdimisht edhe gjatë fushatës që rreziku kryesor i një kolapsi të demokracisë vinte nga një marrëveshje e mundshme mes Ramës dhe Berishës.
Natyrisht, e kemi pranuar një gjë të tillë. Marrëveshjet e prillit nuk janë pak.
Nuk është i trembur tani që Rama të bëjë prapë një marrëveshje me Berishën dhe Meta të bëhet i parëndësishëm?
Nuk e kam parë këtë aspekt. Megjithatë edhe kjo u diskutua në Konventë dhe Iliri e tha që ne e komandojmë këtë koalicion, për sa kohë që Berisha ka nevojën tonë, jo ne nevojën e Berishës. Domethënë, ne kokën mbi supe e kemi dhe në çdo rast e shohim se ka diçka që nuk ecën. Por, por të ndodhë kjo që thoni ju, që Berisha t’i zgjidhë problemet me disa të tjerë, sigurisht dalim jashtë loje, siç dolën plot parti të aleancës së vet.
Çfarë ndikimi mendoni që ka ky vendim në jetën e brendshme të Partisë Socialiste? A e keni forcuar apo dobësuar zotin Rama me këtë gjë?
Formalisht e kemi forcuar. Tani hollësirat atje brenda nuk i njoh, por formalisht po. Në fund të fundit ata kanë të drejtën të thonë se ishte ajo që thoshim neve dhe ai spoti. Domethënë nga kjo pikëpamje, formalisht Rama duket, si të thuash, me më shumë argumente pse mbajti këtë qëndrim të ashpër, sepse qëndrimi vërtet ka qenë shumë i ashpër. Që nga Kodi Zgjedhor, e deri në numërimin e votave, për mua Rama ka gabuar në ashpërsinë e qëndrimit që mbajti. Pra, unë them që një ndihmë i është dhënë Ramës. Se sa do ta justifikojë ai këtë gjë për pozicionin e vet, është gjë tjetër.
Mandati i Fierit është një problem serioz për Partinë Socialiste. Fakti që ju bëtë aleancë de facto me Partinë Demokratike dhe fakti që Partia Demokratike po bën presion për këtë mandat, pasi mandati i Fierit i takon Partisë Socialiste, por që nuk e lëshon Partia Demokratike. Sa përgjegjës do të ndiheshit, nëse ky mandat i grabitet?
E thashë edhe sot, duke folur për ngutjen e madhe për shpalljen e kësaj marrëveshjeje, pavarësisht se kur do të hyjë në fuqi kjo. Mund të bëhej në shtator fare mirë kjo gjë. Në qoftë se ne donim një zgjidhje për situatën e krizës, është e gabuar, pasi për mua nuk është vendi në situatë krize, është qeveria aktuale. Por, në qoftë se ne kërkonim zgjidhje, nuk kishim pse të parën të kërkonim aleancën me Berishën. Mund të provonim zgjidhje të tjera, që mbase do të dështonin. Është absurde që e para zgjidhje duhet të jetë me Berishën, ajo duhet të ishte e fundit fare. Në qoftë se vendi do mbetej në krizë, që ne na vika shumë keq, s’duhet të na vijë kaq keq, se ne jemi parti opozitare dhe është detyrë e të tjerëve. Meqë jemi kaq të ndjeshëm, e fundit do ishte marrëveshja me Berishën, ne e bëmë të parën dhe kjo të lë një shije të hidhur. Kjo marrëveshje i ka dhënë efektet e saj. E para mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. U ndje përnjëherë një ndryshim i qëndrimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ata hodhën poshtë një sërë gjërash, të cilat nuk u diskutuan fare. Në qoftë se bie mandati jonë, bie dhe pushteti jonë. Dhe problemi i dytë që them unë, është kjo që, kjo marrëveshje kaq e ngutshme kompromentoi një marrëveshje të mundshme për një qeveri të mundshme teknike. Në qoftë se gjërat do të mbetnin te 70 me 70 apo dhe 71 me 69, unë prapë e quaj të paqëndrueshme qeverisjen. Marrëveshja jonë e bërë me kaq ngut kompromenton qeverinë teknike. Ne tani jemi të detyruar që të presim katër vjet për të bërë një ndryshim të rëndësishëm. Mesazhi i shqiptarëve ishte ndryshimi, i cili tashmë do të presim katër vjet që të vijë.