Një zgjedhje si e Ilir MetësNga Armand Shkullaku Në fakt, nuk është e lehtë ta përcaktosh nga anon e drejta, pa marrë parasysh se si kanë rrjedhur ngjarjet deri këtu, çfarë përfaqëson Ilir Meta dhe pse e pati ai të pamundur një aleancë me Edi Ramën.
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Një zgjedhje si e Ilir MetësNga Armand ShkullakuNë fakt, nuk është e lehtë ta përcaktosh nga anon e drejta, pa marrë parasysh se si kanë rrjedhur ngjarjet deri këtu, çfarë përfaqëson Ilir Meta dhe pse e pati ai të pamundur një aleancë me Edi Ramën.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim është një politikan pragmatik. Karriera e tij është ngritur kryesisht mbi pragmatizmin dhe jo mbi kodet, në bazë të së cilave e akuzojnë sot pa lidhje. Ndonëse shumë i ri, ai arriti të krijojë një pol brenda PS në vitet e vështira të opozitës, duke mbledhur rreth vetes gjithë elementët anti-Nano në parti.
E bëri këtë, herë duke ngritur zërin, herë duke flirtuar me kundërshtarët politikë, por asnjëherë duke qëndruar pasiv. Pranoi të bashkëpunojë me Fatos Nanon, kur ky u kthye fitimtar pas burgut në parti dhe në qeveri, por gjithnjë ruajti një distancë mosbesimi.
Duke patur pragmatizmin si “yllin polar” të tij, Ilir Meta nuk e pati të vështirë që ta linte pas aleancën me Pandeli Majkon, i mundur nga Nano në tetorin e vitit 1999, duke u shpërblyer me postin e kryeministrit të vendit. Pikërisht në krye të ekzekutivit u dallua hapur karakteri i tij politik.
Me qëllimin e vetëm mbajtjen dhe zgjatjen e pushtetit, Ilir Meta i afroi të gjithë rreth vetes, aleatë dhe kundërshtarë brenda partisë. Afroi edhe njerëz teknikë që nuk kishin lidhje me PS, apo më shumë akoma, që vinin nga e djathta. Ai shënoi i pari periudhën e çorientimit të medieve.
Qeveria e tij ofroi ndihma financiare, në rrugë ligjore ose jo, për shtypin majtas e djathtas. Lulëzuan dhjetëra gazeta dhe u hapën dhjetëra televizione në një terren të mbarsur me pará publike. Biznesmenët gjithashtu i harruan preferencat partiake, të joshur nga një kryeministër “përtej së majtës dhe së djathtës”.
Zërat e dobët kritikë flisnin për privatizime apo tenderë me preferenca personale dhe joprofesionale. Dhe të gjitha këtyre iu shtua edhe fenomeni i opozitës së opozitës, të cilën Meta e sponsorizoi fort për të eliminuar çdo rrezik nga Partia Demokratike e Sali Berishës. Ky është një nga kapitujt më ilustrativë të pragmatizmit të Ilir Metës, që duke e kaluar masën, shpejt iu kthye në të kundërt të tij dhe e rrëzoi nga pushteti.
Por, në të gjithë këtë aventurë qeverisëse, Ilir Meta ka patur në krah një njeri, ose më saktë një ideolog, që hartoi platformën mbi të cilën ai eci. Ky është pragmatisti tjetër i madh, Edi Rama. Ata ishin bashkë në ndarjen e pushtetit, në marrëdhëniet me mediet, në seleksionimin e bizneseve, në tentativën për ta shmangur Nanon, por vetëm deri në ditën kur Meta ishte i fortë.
Aleanca e tyre nuk ishte ngritur mbi parime, por mbi interesa. Edi Rama, ky njeri që sot flet për tradhti, për kodin e nderit dhe të besës, për zemrat që rrahin e sytë që vajtojnë, simbolizon vetë politikanin pragmatist pa asnjë lidhje me atë idealist. Atëbotë ia ktheu i pari krahët Ilir Metës. Ndonëse në mbrëmje kishte qenë në shtëpinë e Metës, të nesërmen në mëngjes Rama fluturoi drejt Athinës me një tufë lule në dorë për Fatos Nanon që gjendej në spital, e që shumë shpejt do të rimëkëmbej për t’i marrë në duar frenat e partisë dhe të qeverisë.
Historia e përbashkët ka bërë që Ilir Meta dhe Edi Rama ta njohin mirë njëri-tjetrin. Pragmatizmi që i dallon mbi të tjerët ua ka shtuar dozën e mosbesimit reciprok deri në atë shkallë sa nuk kishin lënë asnjë shteg të hapur për bashkëpunim. Provat janë jo vetëm nga e shkuara, por edhe nga zgjedhjet e 2007 dhe Kodi Zgjedhor. Më shumë sesa Berishës, ata iu ruajtën njëri-tjetrit. Prandaj, akuzat ndaj Metës për tradhti e prerje në besë tingëllojnë folklorike.
Ai nuk bëri gjë tjetër veçse i qëndroi besnik pragmatizmit të tij, si fushën ku pretendon se luan më mirë. Po të ishte vonuar, ndoshta të njëjtën gjë mund ta kishte bërë vetë Rama. Ata nuk ndryshojnë shumë në këtë pikë. Aleanca e re e Ilir Metës, më shumë sesa një afrim me Sali Berishën, ishte pasojë e mosbesimit ndaj Edi Ramës. Prandaj është e vështirë në këtë rast të përcaktosh se kush ka të drejtë, kush është i moralshëm, e kush tradhtar. Në përplasjen e madhe elektorale kjo ishte një betejë mes dy liderëve pragmatikë brenda së majtës, pa ngjyrime ideologjike dhe parime politike.
Fitoi Ilir Meta, i cili i shkoi deri në fund rrugës së tij, asaj që e njeh më mirë. Humbi Edi Rama, që këtë radhë tentoi ta ndryshojë strategjinë për ta fituar gjithë pushtetin për vete.
Të flasësh për burrëri, nder, moral, në këtë rast ka shumë pak kuptim. Aleanca e Ilir Metës me Sali Berishën ishte një zgjedhje e detyruar dhe pragmatike. A fiton apo humb Ilir Meta nga ky vendim, është diçka për të cilën e gjykon elektorati i tij dhe jo Edi Rama. Një gjë është e sigurt: Ilir Meta ka një sprovë të vështirë përpara - qeverisjen bashkë me Sali Berishën. Ai e ka provuar se çfarë ndodh kur abuzon me të qenit pragmatik.
* Express