E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klosi: Nëse ska transparencë largojmë Berishën

Partia Socialiste premton protesta të pandalshme po s’u hapën kutitë

Partia Socialiste ka kërkuar menjëherë përgjigje zyrtare nga mazhoranca në lidhje me dy nismat ligjore që ajo ka dorëzuar në Kuvend, si pjesë e zgjidhjes politike. Deputeti socialist, Blendi Klosi, në një deklaratë të dhënë dje ka paralajmëruar Kryeministrin se “Nëse nuk ka transparencë, Sali Berisha do të largohet. Nëse nuk i njeh opozitës të drejtën për transparencë, atëherë fjala i kalon popullit opozitar dhe Sali Berisha do të përballet me protesta të pandalshme derisa kjo e drejtë kushtetuese e ligjore e opozitës të vihet në vend. I mbetet Sali Berishës të vendosë, ashtu siç do t’i mbetet Sali Berishës edhe përgjegjësia për thellimin e mëtejshëm të krizës. Partia Socialiste e bëri edhe njëherë hapin e saj. Tani projektligji është në dorë të mazhorancës”. Socialistët kanë bërë të ditur se opozita ka lëshuar dy herë si shans për kompromis politik: i pari është njohja e legjitimitetit juridik të Parlamentit dhe i dyti është hyrja në Kuvend ndaj tani duhet që mazhoranca të bëjë lëvizjen e saj. Klosi, deklaroi se mazhoranca po reziston me arrogancë të pajustifikuar.

“Fatkeqësisht, me gjithë dëshirën e mirë dhe vullnetin për bashkëpunim që tregoi Partia Socialiste kjo përpjekje e sinqertë u prit nga mazhoranca e Sali Berishës me arrogancën dhe papërgjegjshmërinë që e kanë karakterizuar atë ngaherë, duke e refuzuar këtë shans pa treguar as minimumin e korrektesës politike e demokratike. As minimumin e vullnetit për të kontribuar ndaj zgjidhjes së krizës. Pas kompromisit të madh që i ofroi Sali Berishës duke njohur rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, Partia Socialiste i ka ofruar atij dhe një kompromis të dytë, duke u futur në Kuvend për të kontribuar kështu drejt zgjidhjes së krizës”, theksoi deputeti socialist.
Në emër të Partisë Socialiste, Klosi i bëri dhe njëherë thirrje Kryeministrit Sali Berisha që sipas tij “të mos e çojë kot me kokëfortësi këtë mundësi që po i jepet. Partia Socialiste është e vendosur t’i shkojë deri në fund kauzës së saj për transparencën e zgjedhjeve. Ne e kuptojmë shumë mirë, që si një pushtetar i mësuar me manipulime e pazare, Sali Berisha e ka të vështirë të kuptojë sinqeritetin dhe vendosmërinë e Partisë Socialiste, por ai gabohet nëse i shkon ndër mend që ne do të tërhiqemi nga kërkesa jonë për transparencë”. Partia Socialiste vendosi të ndërpresë bojkotin e saj gjashtëmujor të enjten e kaluar, por i ka paraqitur mazhorancës kushte të qarta për të vazhduar qëndrimin në Kuvend. Vetëm një orë më pas deputetët socialistë janë larguar, pasi nuk ka pasur një deklaratë pozitive nga mazhoranca. Në fjalimet e tyre, si Kryeministri Berisha, ashtu edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, është bërë e ditur se nuk do të miratohet kërkesa e socialistëve për hapjen e kutive të votimit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›