E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike pushton transportin detar

27 marinarë mbeten në mëshirë të fatit për shkak të likuiditeteve të pashlyera nga pronarët e anijeve

Kriza financiare ka prekur ndjeshëm transportin detar. Raste si ato të anijeve “Premier” dhe “Brustel”, dëshmojnë për një realitet të vështirë nëpër të cilin kalon ky lloj transporti, ndërsa ata që i vuajnë drejtpërdrejt pasojat janë marinarët dhe familjet e tyre. Aktualisht, vetëm rasti i 27 marinarëve që janë lënë në mëshirë të fatit për shkak të likuiditeteve të pashlyera nga pronarët e anijeve të tyre është bërë publik. Të bllokuar në anije të cilave nuk u lejohet lundrimi ata kalojnë dhe trauma e drama të ndryshme që zhvillohen mijëra milje detare larg vendit ku ndodhen. I tillë ishte rasti i marinarit shqiptar të anijes “Brustel”, i cili nuk mund të merrte pjesë në ceremoninë mortore të bashkëshortes të tij, apo dhe ai i kryemekanikut azerbajxhanas që shfaqi probleme shëndetësore. Vuajnë mungesën e shërbimeve, urinë, etjen për ujë dhe ngrohje. Shumë raste të tjera të ngjashme mbeten të papublikuara. Ndërsa interesohemi në kapitaneri për ecurinë e këtyre dy anijeve bëhemi dëshmitarë të rasteve të tjera kur pronarët e anijeve kanë probleme me agjencitë për likuiditetet. Në port, marinarë të ndryshëm tregojnë se kanë nga 3-4 muaj deri dhe në 6 muaj pa marrë rrogat, por nuk mund të ankohen për këtë. Jo thjesht se e kuptojnë krizën ekonomike nëpër të cilën kalojnë pronarët e tyre, po edhe pse nëse rebelohen mund të ngelen edhe pa punë dhe mund të mos kenë mundësi të marrin hakun e muajve të punës të kaluar në det të hapur, atje ku miqësi u bën uji, kripa dhe gjitarët detarë. “Të ankohemi mund të humbasim punën dhe po të ikim humbasim lekët, djersën tonë”, thotë një marinar ndërsa pret që të ndërmarrë udhëtimin e radhës me shpresën se në kthim, do të mund të marrë rrogën e munguar prej disa muajsh. Ndërkaq, në radën portuale të Durrësit 14 marinarë janë bllokuar dhe qëndrojnë në pritje të hapave që do të ndërmerren për të zhbllokuar situatën. Angazhimi diplomatik i konsullit azerbajxhanas në Bullgari ka bërë që te tetë nga 14 marinarët e anijes turke “Premier” të zgjohet shpresa për zbarkim dhe riatdhesim. Kapiteni i portit më të madh shqiptar, Muharrem Trupja, thotë se konsulli Elshan Hasanov u interesua dhe për procedurat e zbarkimit dhe riatdhesimit të shtetasve të vet. Gjithsesi, vetëm 4 nga 8 azerbajxhanasit mund të riatdhesohen në bazë të certifikatës që përcakton minimumin e detyrueshëm të ekuipazhit të anijes. Në këtë rast përfituesit mund të jenë mekaniku i tretë, dy marinarë dhe motoristi i anijes. Ndërkohë, ekuipazhi i huaj po mendon dhe zgjidhjen përmes rrugës ligjore, duke kontaktuar avokatin shqiptar, Leka Gjermenin. Ai ka kërkuar nga kapitaneria nëse mund të bëhet ankorimi në kalatë i anijes, gjë që është refuzuar pasi institucioni nuk mund të veprojë pa një urdhër gjykate. Marinarët ndërkaq, gjatë takimit me përfaqësuesit e shtetit të tyre, janë ankuar për keqtrajtim e ndjesinë e të qenit të arrestuar në anije. Konsulli Hasanov ia ka përcjellë pretendimet kapitenit Muharrem Trupja, duke i kërkuar dhe një deklaratë për mosmbajtjen të bllokuar të anijes. Trupja saktëson se anija mbetet në të njëjtën situatë, e vetëbllokuar për shkak të likuiditeteve të papaguara dhe s’ka asnjë urdhër ligjor bllokimi për të. Ndërsa shpresa është ringjallur për azerbajxhanasit, për marinarët gjeorgjianë të së njëjtës anije askush nuk është kujtuar. Edhe fati i ekuipazhit prej 13 vetash të anijes shqiptare “Brustel” e bllokuar në Nisurata të Libisë. Kapitaneria nuk ka asnjë njoftim për fatin e saj, ndërkohë që pronari deklaroi se nuk ka borxhe dhe mohoi ankesat e marinarëve për gjendjen e anijes dhe borxhet që i mbajnë të bllokuar në portin afrikan.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›