E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukësi, rajoni më i goditur nga OSSH-ja

Pothuajse të gjitha institucionet nuk paguajnë faturat. Dorëhiqet drejtori

Filiali i elektrikut të Kukësit përjeton vështirësi të theksuara në realizimin e vjeljeve të faturave të energjisë së konsumuar. Prej shumë kohësh në Kukës, konsumatori familjar vazhdon të mos paguajë, kryesisht për shkak të pamundësisë ekonomike të familjeve. Kjo gjendje e ka detyruar Drejtorinë e OSSH të zonës së Shkodrës nga varet Kukësi të dërgojë këto ditë një shkresë në degën e elektrikut në Kukës, ku urdhërohet ndërprerja e furnizimit për të gjithë debitorët, buxhetorë, familjarë apo të tjerë.

Nisur nga fakti që shumica e familjeve në Kukës mezi sigurojnë mbijetesën, për shkak të shkallës së lartë të papunësisë, specialistët e elektrikut kanë vendosur që në momentin e konstatimit të rilidhjes së dritave, pronari i matësit të energjisë për familjen do të dërgohet në paraburgim dhe vetëm më pas mund të negociohet për një zgjidhje. Dhe, sipas urdhëresave të brendshme të institucionit të elektrikut, qëndrimi penal do të zbutet vetëm kur debitori shkon të paguajë dy muajt e fundit si dhe të nënshkruajë premtimin se do të paguajë me kohë të gjithë prapambetjen, pra borxhin ndaj elektrikut.

Mirëpo një situatë e tillë e ka motivuar drejtorin e filialit të Kukësit, Hajdin Elezi, të japë dorëheqjen nga posti, duke lënë aktualisht pa drejtues këtë institucion dhe në një gjendje relativisht të vështirë të arkëtimeve. Deri një vit më parë detyrën e vjeljes së prapambetjeve apo dërgimin në prokurori të debitorëve potencialë e ka kryer policia elektrike, e cila ushtronte presion mbi debitorët derisa ata shlyenin borxhin apo dërgoheshin për ndjekje penale. Pas shkrirjes së saj kjo barrë i bie vetë filialit të elektrikut. Filiali i elektrikut të Kukësit, mbi bazën e reformave të fundit të ndërmarra pas privatizimit të këtij shërbimi, ka kaluar gati të gjitha kompetencat në drejtorinë zonale të Shkodrës, duke lënë disi pas dore rajonin e Kukësit, siç argumentojnë drejtuesit e filialit. Tshme as termi filial nuk përdoret më. “Gjithçka është transferuar në Shkodër, duke e shkrirë totalisht strukturën e Kukësit. Dhe duke mos njohur gjendjen e familjeve të Kukësit, jo thjesht situatën ekonomike, ata më thanë që duhej të nisja një fushatë për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, por e gjithë pesha bie mbi mua, në kohën kur nuk kam asnjë mbrojtje nga askush. Mendo pra, një familjar i papunë dhe në mjerim ekonomik që nuk ka lekë të paguajë energjinë të shkojë edhe në burg”, tha Elezi i kontaktuar me telefon, duke sqaruar motivet e dorëheqjes. Kukësi është një qytet ku gati 40% e familjeve trajtohen nga shteti me ndihmë ekonomike dhe ku papunësia shënon shkallën më të lartë në gjithë vendin.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›