Klosi: Punësim për familjet në varfëri
Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ishte dje në Fushë-Krujë, në një takim masiv me qytetarët e këtij qyteti. Klosi prezantoi në Fushë-Krujë programin e ri të Partisë Socialiste. Gjatë prezantimit të tij, ai tha se PS-ja në qeverisje do të katërfishojë brenda mandatit të parë ndihmën ekonomike dhe paralelisht do të punësojë gjysmën e familjeve që sot gjenden në varfëri. Punësimi, vijoi Klosi, do jetë një pikë themelore e këtij programi. Premtimet tona, konstatoi ai, nuk janë thjesht për të marrë votat, por janë pika të një programi qeverisës të mirëmenduar për të ndryshuar tërësisht të ardhmen e Shqipërisë. "Me këtë program ne do të kemi mundësi që në zgjedhjet e ardhshme të paraqitemi si forcë e re, si politikë e re, që në vetvete nuk ka premtimet, por ka vizion të ri, ka ide të reja, ka lidership të ri dhe të spikatur. Në fund të fundit, ka zgjidhje të reja për qytetarët shqiptarë", nënvizoi Klosi.