Klosi: Qeveria nuk është e interesuar për zgjidhjen e krizës

Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, deklaroi sot se “po bëhen tashmë muaj që Sali Berisha po përpiqet t’u mbushë mendjen shqiptarëve se vendi nuk është në krizë”. Megjithëse, siç tha ai përmes një komunikimi për mediat, “çdo qytetar i thjeshtë i këtij vendi e ndjen krizën sa herë i duhet të fusë dorën në xhep për të blerë ushqim për familjen e fëmijët e tij”. “Sali Berisha thotë se kriza është një trillim i opozitës, a thua se prej opozitës vuajnë minatorët, prej opozitës nuk gjejnë dot të drejtën e tyre banorët e Orikumit, prej opozitës po flaken në rrugë arsimtarët, prej opozitës po rritet papunësia e varfëria”, deklaroi Klosi. Sipas deputetit socialist, “e vërteta e hidhur është se Sali Berishës dhe mazhorancës së tij nuk i intereson nëse vendi është në krizë pasi kjo qeveri e papërgjegjshme nuk është produkt i votës së lirë të shqiptarëve”. Ai tha se “manipulimin e zgjedhjeve nuk e vuan Sali Berisha por qytetarët e qytetaret e thjeshtë të Shqipërisë”. “Refuzimi i Sali Berishës për të hetuar atë çka ka ndodhur në 28 qershor përben provën më të qartë se kryeministri nuk është i interesuar në zgjidhjen e krizës.