Klosi dhe Omari, njerëzit e Bllokut, të cilët po përgatisin reformat komuniste të Edi Ramës

Ardian Klosi dhe Luan Omari, pinjollët e Bllokut komunist, personazhe të kushtetutës leniniste të 76-s dhe pinjollë të njerëzve të specializuar për krime masive, po drejtojnë ekipin që do të përpunojë propozimet e Edi Ramës për reforma. Me këta njerëz, mund të vijë veç prapaktheu e të majtës, kthimi tek propozimet për një kushtetutë që mbron piramidën e restauron enverizmin
Lajmi/Gënjehet sërish Meidani, keqpërdoret me premtimin se do ta ripropozojnë për President
Dy janë aksionet politike të opozitës në këto ditë të nxehta të verës. Aksioni i parë, i nisur disi më herët në kohë, është mos prishja e piramidës, ndërsa aksioni i dytë, ka të bëjë me ndryshimet në kushtetutë. Në dukje, të dy këto aksione mund të mos kenë lidhje midis tyre. Por, kur sheh se në krye të këtyre është Ardian Klosi, atëherë kupton se “nyja lidhëse”, e përzgjedhur jo rastësisht, i bën këto dy aksione politike të opozitës, të pazgjidhshme ndaj njëra-tjetrës. Sa për emrat e tjerë, që i bashkëngjiten aksioneve të opozitës, më të shumtën ca “ish”, duhet pranuar se janë ca më shumë se garnitura, në këto konsumime më të fundit të opozitës. Ajo që i bashkon të gjithë emrat, garniturë apo jo, të çorbës opozitare, është “përvoja” që ata kanë në mbrojtjen e enverizimit dhe në hartime kushtetutash.
Ja...! Të marrim si shembull, Ardian Klosin dhe Luan Omarin.
Si pinjollët e Bllokut komunist, këta dy emra janë personazhe edhe të Kushtetutës leniniste të vitit 1976. E pra, këta, por edhe të jerm emra, si pinjollë të njerëzve të specializuar për krime masive, po drejtojnë ekipin që do të përpunojë propozimet e Edi Ramës për reformë në kushtetutë. A thua, u shua dynjaja për emra të pa inkriminuar, që Edi Rama ti fusë në vathën e mashtrimeve me ndryshime në kushtetutë.
Por, jo...! Këta njerëz i duhen Edi Ramës dhe këta janë përzgjedhur jo rastësisht, nga ndonjë poç i mundshëm qelqi i mbushur me gogla. Edi Rama i ka përzgjedhur këta emra njerëzish, se me këta njerëz, njëherazi, mund të vijnë jo vetëm propozime për një kushtetutë si ajo e vitit 1976, por mund të vijnë edhe propozime që mbrojnë piramidën e restaurojnë enverizmin...
Me gjithë “hesapet pa hanxhiun” që bën Edi Rama, jo aq përzgjedhja e ndoca emrave të përveçëm, se sa “serioziteti” me të cilin ai ka marrë dhe inkurajon ndryshimet në kushtetutë dhe mos prishjen e piramidës, janë dëshmi dhe konfirmim i një kthimi të tmerrshëm, pas të së majtës shqiptare.
Por gjithsesi edhe në këtë logjikë, është diçka që i ngatërron paksa gjërat...
Ndërsa Ardian Klosi, Luan Omari, e ndonjë emër tjetër, për shkak të lidhjeve afektive me kushtetutën e viti 1976, me Bllokun, Piramidën dhe enverizmin, janë të motivuar në këtë skalion të parë të të gatuarit të çorbës së radhës nga Edi Rama, e pakuptimtë dhe e pa motivuar duket investimi i konsumuar i Rexhep Meidanit. Që kur ai (Rexhep Meidani) u pa të tundte në prag të zgjedhjeve të përgjithme të fundqershorit të vitit 2009, një kuti kartoni të mbushur virtualisht me 1000 faqe, 7 drejtimet themelore dhe 100 masat e gënjeshtërta të Edi Ramës, “nuk i ka shkëlqyer më ylli”. Po të përmendim këtu “shoqërinë e trashur” me Alfred Moisiun, atëherë Rexhep Meidani mund të gjejë një farë ngushëllimi, kur në dyshen e famshme “Baka me Zekën”, duhet pranuar e pohuar se ai, denjësisht përfaqëson njërën gjysmë…
Kjo, megjithëse diçka ngushëlluese, gjithsesi nuk mjafton, që Rexhep Meidani të vazhdojë e të vazhdojë “të ngopet me lugë bosh”…
Vetëm në se…, atij në mënyrë të përsëritur, “ti jenë errur sytë” dhe “të hajë sërish sapunin për djathë”, deri në atë farë mase, sa të besojë se emri i tij, është në listën e Edi Ramës, për një rizgjedhje të mundshme si president.
Jo, po të mendojë, por po ta besojë, vërtetë këtë Rexhep Meidani, atëherë, situata është më shumë se e rëndë..., më shumë se dramatike. Precedentët e keqpërdorimit të Rexhep Meidanit, për të disatën herë janë të përsëritur. Por, më e rëndë, në këtë keqpërdorim, është fakti, se Edi Rama, në mënyrë kriminale (në kushtet kur edhe Fiqir Xibri nuk paguan më protestues me mëditje, sepse nuk ka protesta) keqpërdor papunësinë e Rexhep Meidanit, i cili nuk e ka për gjë, me sa duket që sa herë të thirret nga kryetari i PS-së, të lejojë veten të mashtrohet. Vera e ardhshme nuk është edhe aq larg, sa Rexhep Meidani të kuptojë se ëndrra e tij për një rizgjedhje si president, nuk është asgjë më shumë se “ëndërr e një nate vere”.