Kryebashkiaku Basha takon krerët e njësive bashkiake

Kreu i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me krerët e njësive bashkiake. Në këtë takim, kanë munguar 4 krerët e njësive vendore, të Partisë Socialiste.
Pasi i ka uruar mirëseardhjen të zgjedhurve vendorë që ndodheshin në takim, kryebashkiaku deklaroi se fushata tashmë ka mbaruar dhe ka filluar puna.
“Vendosëm për t`i dhënë fund betejave politike”, ka theksuar ai. Në fjalën e tij, Basha propozoi që këto takime, në të cilat do të diskutohet për shqetësimet dhe problemet e qytetarëve, të jenë periodike.
“Hapi i parë është komunikimi me qytetarët. Do të ketë bashkëpunim të plotë e të gjithanshëm. Dëgjimi i qytetarëve do të jetë primar në vendimmarrje”, është shprehur ndër të tjera Basha.
Duke iu drejtuar krerëve të njësive bashkiake, ai kërkoi ngritjen e një grupi pune për një platformë decentralizimi. Po ashtu kryebashkiaku u kërkoi atyre, që interesat e qytetarëve që përfaqësojnë të jenë primare.