E Diel, 1 Nëntor 2026

Klubet e huaja, 20 mln € për kuqezinjtëGazeta “Tirana Observer” boton sot listën e lojtarëve shqiptarë për të cilët është paguar më shumë gjatë lëvizjeve të tyre nga njëra skuadër tek tjetra

LEONARD KARAJ - Që një futbollist ka qenë ose është në rangun e më të mirëve mund të shihet fare lehtë edhe nga kërkesat që kanë shkuar në drejtim të tij gjatë merkatos. Dhe natyrisht në se Zidan konsiderohet si futbollisti më i mirë i dekadës së fundit së shekullit XX, e përforcon edhe fakti se për të Real Madrid pagoi plot 70 milionë euro gjatë transferimit të tij nga Juventus në Madrid. Duke qëndruar në këtë linjë gazeta “Tirana Observer” boton sot listën e lojtarëve shqiptarë për të cilët është paguar më shumë gjatë lëvizjeve të tyre nga njëra skuadër tek tjetra. Specialja që u servirim sot lexuesve ka pasur si burim informacioni uebsajtin e transfermakt i cili merret ekskluzivisht me transferimet e lojtarëve në gjithë botën. Duhet theksuar se në të shumtën e rasteve futbollistët shqiptarë ka kaluar nga njëri klub tek tjetri me parametër zero.

Lideri

Erjon Bogdani është futbollisti shqiptar për të cilin është paguar më shumë. Duket e pabesueshme por për shtatlartin kuqezi deri tani është derdhur shifra e 6.1 milionë eurove në transferimet që ai ka bërë nga njëra skuadër në tjetrën. Pas tij në renditje vjen kapiteni kosovar i Olimpik Marsejës, Lorik Cana. Për të presidenti marsejez Papa Diuf pagoi 4 milionë euro drejtuesve të Paris Saint-Germanin në verën e 2005-ës. Medalja e bronxtë në këtë rast ndahet mëdysh. Si mbrojtësi i Vllaznisë së Shkodrës, Elvin Beqiri dhe talenti shqiptar i Palermos (i huazuar te Ravena) kanë të njëtën shifër. Për beqirin izraelitët e Maccabi Haifa paguan 1.5 milionë euro Metallurg Donetsk në janar të 2006-ës. Ndërsa gjatë merkatos së janarit të këtij viti Palermo e presidentit Zamparini derdhi (gjysmën për momentin gjysmën në merkaton e verës) po 1.5 milionë euro për lojtarin e përfaqësueses shqiptare U-21.

Talentet

Ndërkohë para Filipit Palermo pati blerë 100 % e vlerës së kartonit të 19-vjeçarit, Edgar Çani nga Pescara për shumën e 1.2 milionë eurove. Ndërsa për talentin e kombëtares shqiptare, Jahmir Hyka drejtuesit e klubit të Manz në Bundesligën e Dytë gjermane gjatë merkatos së verës 2008 paguan 300 mijë euro Olimpiakosit, klubi që kishte në pronësi kartonin e futbollistit. Por për Hykën kanë paguar gjatë transferimeve sa në një skuadër te tjetra edhe Rosenborgu e Olimpiakosi çka ka çuar në 725 mijë euro shumën që është paguar në total për të. Por përveç Çanit dhe Hykës para në dorë janë paguar edhe për Mërgim Mavrajn, Enco Malindin, Renato Arapin, Ahmed Januzin e Klodian Seminën, tashmë i rikthyer te Vllaznia për pjesë e dytë të këtij sezoni.

Të tjerët

Duhet theksuar se në të shumtën e rasteve lojtarët shqiptarë kanë kaluar nga njëra skuadër tek tjera me parametra zero. Kjo edhe për faktin se ka qenë të paktë klubet që ka pasur vërtet interes për legjionarët tanë. Një prej klubeve që ngulmoi deri në fund për shërbimet e lojtarit shqiptar ka qenë Breshia në merkaton e 2001-it për Igli Taren. Italianët në fund paguan 550 mijë euro Kaiserslauternit për biondin shqiptar. Por rreth kësaj shifre u vërtit edhe kalimi i Besart Berishës verën e kaluar nga Hamburgu për tek Burnli në championshipin anglez. Por futbollisti i parë shqiptar për të cilin është paguar gjatë merkatos është Altin Rraklli. Herta e Berlinit më 1996-ën pagoi 150 mijë euro (rreth 260 mijë marka gjermane) Frajburgut për kavajasin. Ndërsa pas viteve 2000 ishte Altin Haxhi “preja” e Iraklis. Verën e merkatos sezonale 2000-2001 grekët paguan 150 mijë euro Liteksit (Bullgari) për mëngjarashin gjirokastrit. Duhet theksuar se në këtë listë nuk bëjnë pjesë futbollistë shqiptarë ose kosovarë të cilët për arsye nga më të ndryshmet nuk pranuan të luanin për fanellën kuqezi.
 Transferimet e lojtarëve shqiptarë

1) Erjon Bogdani
Kievo, Itali
2006-2007 nga Siena te Kievo për 4.5 milionë euro
2005-2006 nga Rexhina te Siena për 1.6 milionë euro
Totali në merkato: 6.1 milionë euro
2) Lorik Cana
O.Marsejë, Francë
2005-2006 nga Paris St. Germain (Francë) te Olimpik Marsejë (Francë) për 4 milionë euro
Totali në merkato: 4 milionë euro
3) Elvin Beqiri
Vllaznia
2005-2006 nga Metallurg Donetsk (Ukrainë) te Maccabi Haifa (Izrael) për 1.5 milionë euro
Totali në merkato: 1.5 milionë euro
4) Brian Filipi
Ravena
Janar 2009 nga Ravena te Palermo për 1.5 milionë euro
Totali në merkato: 1.5 milionë euro
5) Besnik Hasi
Zv/trajner, Anderleht, Belgjikë
00-01 nga Genk te Anderleht (Belgjikë) për 400 mijë euro
98-99 nga 1860 Mynshen (Gjermani) te Genk për 425 mijë euro
97-98 nga KRC Genk te 1860 Mynshen (Gjermani) për 400 mijë euro
Totali në merkato: 1.225.000 euro
6) Edgar Çani
Ascoli
2007-2008 nga Pescara (Serie C) te Palermo (Serie A, Itali) për 1.2 milionë euro
Totali në merkato: 1.2 milionë euro
7) Edvin Murati
Fund karriere
2002-2003 nga OSC Lille (Francë) te Iraklis Selakin (Greqi) për 1.2 milionë euro
Totali në merkato: 1.2 milionë euro
8) Jahmir Hyka
Mainz 05, Gjermani
2006-2007 nga Dinamo tek Olimpiakos (Greqi) për 175 mijë euro
2005-2006 nga Dinamo tek Rosenborg (Norvegji) për 250 mijë euro
2008-2011 nga Tirana (dhënë huazim nga Olimpiakos) tek Mainz (Gjermani) për 300 mijë euro
Totali në merkato: 725 mijë euro
9) Igli Tare
Drejtor Sportiv i Lazio
2001-2002 nga Kaiserslautern (Gjermani) tek Breshia (Itali, Serie A) për 550 mijë euro
Totali në merkato: 550 mijë euro
10) Besart Berisha
AC Horsens, Danimarkë
2007-2008 nga Hamburgu (Gjermani) te Burnli (Angli) për 500 mijë euro
Totali në merkato: 500 mijë euro
11) Armend Dallku
Vorskla Poltava, Ukrainë
2004-2005 nga KS Elbasani tek Vorskla Poltava (Ukrainë) për 400 mijë euro
Totali në merkato: 400 mijë euro
12) Mërgim Mavraj
VfL Bokum, Gjermani
2007-2008 nga Darmstadt 98 (Bundesliga 3) tek VfL Bokum (Bundesliga 1) për 350 mijë euro
Totali në merkato: 350 mijë euro
13) Ervin Skela
Energji Kotbus, Gjermani
2001-2002 nga Valdhof Manheim (Bundesliga 2) te Eintraht Frankfurt (Bundesliga 1) për 200 mijë euro
Totali në merkato: 200 mijë euro
14) Altin Haxhi
APOEL Nikosia, Qipro
2000-2001 nga Liteks (Bullgari) te Iraklis Selanik (Greqi) për 150 mijë euro
Totali në merkato: 150 mijë euro
15) Altin Rraklli
Fund karriere
1996-1997 nga Frajburgu te Herta e Berlinit për 150 mijë euro (rreth 260 mijë marka gjermane, asokohe).
16) Geri Çipi
Ka lënë futbollin
2003-2004 nga KAA Gent (Belgjikë) te Eintracht Frankfurt (Gjermani) për 125 mijë euro
Totali në merkato: 125 mijë euro
17) Debatik Curri
Vorskla Poltava, Ukrainë
2006-2007 nga FK Prishtina te Vorskla Poltava (Ukrainë) për 100 mijë euro
Totali në merkato: 100 mijë euro
18) Nevil Dede
Elbasani
2007-2008 nga SK Tirana te Shenyang Ginde, Kinë për 100 mijë euro
Totali në merkato: 100 mijë euro
19) Enco Malindi
Slavia Sofje
2007-2008 nga Partizani te Slavia Sofje (Bullgari) për 80 mijë euro
Totali në merkato: 80 mijë euro
20) Renato Arapi
Silkeborg, Danimarkë
2007-2008 nga Besa e Kavajës tek Silkeborg (Danimarkë, kat II) për 65 mijë euro
Totali në merkato: 65 mijë euro
21) Ahmed Januzi
Vorskla Poltava
2007-2008 nga FK Prishtina tek Vorskla Poltava (Ukrainë) për 50 mijë euro
Totali në merkato: 50 mijë euro
22) Klodian Semina
Vllaznia, Shkodër
2007-2008 nga Vllaznia Shkodër te Belasiza Petritsch (Bullgari) për 10.000 euro
Totali në merkato: 10 mijë euro

Shuma totale: 20.280.000 euro

Marre nga Tirana Observer

E Premte, 23 Janar 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›