E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicionet, AK: Duam tre deputetë në listat e PS. FRD: Të vetëm

TIRANE- Fryma e Re Demokratike po shkon drejt vendimit për të dalë e vetme në zgjedhjet e 23 qershorit, ndërsa Aleanca Kuq e Zi është më afër koalicionit me PS-në. Këto janë vendimet që pritet të zyrtarizojnë sot dy partitë më të reja që garojnë në zgjedhjet e afërta parlamentare. Burime zyrtare nga selia rozë, konfirmuan dje për “Gazeta Shqiptare” se “AK ka kërkuar tri deputetë të sigurtë në listat e PS, një anëtar në KZAZ dhe një anëtar në qendrat e numërimit të votave”. Negociatat PS-AK pritet të vijojnë edhe gjatë paradites së sotme ku nuk përjashtohet gjithashtu edhe mundësia e mosdakordësisë, e për pasojë daljes më vete të AK. Nga ana tjetër burime zyrtare brenda FRD-së bëjnë të ditur për “Gazeta Shqiptare” se pavarësisht deklaratës së drejtuesve të PD-së për hapje ndaj partive të djathta, nuk ka asnjë ftesë zyrtare nga ana e saj. Në kushte të tilla, FRD-ja pritet të vendosë sot për daljen e vetme në zgjedhje, duke përjashtuar çdo mundësi të përfshirjes në një koalicion me të majtën. Burimet sqarojnë se dalja të vetëm në zgjedhje është opsioni më i mundshëm për FRD-në, ndërkohë që kreu i kësaj partie, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizun, me të cilin diskutoi rreth situatës më të fundit politike në vend. Pas takimit, Bamir Topi njoftoi se FRD-ja pritet të vendosë deri sot për koalicionin parazgjedhor. “Ishte një bisedë pune dhe pse jo, midis miqve. Le t’ia lëmë ditës së nesërme (sotme) për të njoftuar. Do ketë të reja deri nesër”, deklaroi z.Bamir Topi. Kryetari i FRD-së, duke komentuar situatën e krijuar në KQZ, tha se “KQZ nuk mund të ndryshojë pas miratimit në Kuvend. Është një gafë dhe defekt i parlamentit, që çështjen e KQZ-së e trajton si çështje partish. Ky është një defekt i rëndë i perceptimit të demokracisë. Unë uroj që KQZ të administrojë me përgjegjësinë e ligjit”, - theksoi Topi. Por ndryshe nga FRD, e cila pritet të konkurrojë e vetme në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, AK ndjehet më afër në aleancën me PS-në. Demokratët në asnjë rast nuk i janë drejtuar për aleancë parazgjedhore partisë që drejton Kreshnik Spahiu, madje mes dy partive ka pasur akuza dhe kundërakuza kundrejt njëra-tjetrës, gjë që ka lënë të kuptohet shumë qartë se nuk do të ketë një aleancë të përbashkët mes PD-së dhe AK-së. Kjo, krejt ndryshe ndaj FRD, kur drejtuesit e saj lideri Berisha dhe sekretari i përgjithshëm Bode janë deklaruar të hapur për të mbledhur në një koalicion të përbashkët të gjitha partitë e djathta dhe të qendrës së djathtë. Por FRD refuzon ftesën e demokratëve edhe për faktin se nuk ka një ftesë zyrtare, duke iu përmbajtur kështu deklaratave të mëparshme se nuk do të bëjnë aleancë me dy partitë e vjetra, PD dhe PS. Gjithsesi, sot FRD mbledh strukturat e saj për të vendosur zyrtarisht mënyrën e garimit në zgjedhjet e 23 qershorit dhe pikërisht në ditën e fundit të skadimit të afatit, kur duhet të regjistrohen koalicionet në KQZ. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›