Koalicioni PDK-LDK s’funksionon

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, duke iu referuar deklaratës së Isa Mustafës, “se LDK-ja nuk e përjashton mundësinë e hyrjes në koalicion edhe me PDK-në”, ka thënë se koha ka treguar se një koalicion i tillë nuk mund të funksionojë.
Isufi, ka thënë se kjo parti nuk i frikësohet deklaratës së kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili nuk e ka përjashtuar mundësinë e hyrjes në koalicion me PDK-në.
Në një intervistë për “Epokën e re”, Isufi ka deklaruar se koalicioni PDK - LDK ka treguar se nuk mund të funksionojë. Në këtë kontekst, Isufi i ka sugjeruar LDK-së të bashkëpunojë me parti të cilat kanë dëshmuar se janë besnike.
“Ju e dini se ka pasur prishje të koalicionit për interesa të individëve dhe klaneve të caktuara, prandaj nëse bazohemi në partneritet të sigurt, atëherë partitë politike duhet të jenë të vëmendshme se me kënd lidhin koalicion”, ka thënë Isufi, duke shtuar se edhe në të ardhmen AAK-ja do të qëndrojë besnike në rast të hyrjes në koalicion qeverisës me ndonjë parti.
“Gjithmonë kemi qëndruar besnikë në koalicione dhe do të jemi të tillë. Synimi ynë është ta marrim pushtetin dhe ta qeverisim Kosovën”, është shprehur Isufi. Ndërkaq duke folur për ecurinë e procesit të brendshëm zgjedhor në AAK, Isufi ka thënë se gjithçka ka shkuar mirë.
Ai ka bërë me dije se në ditët në vijim do të do të zgjidhet edhe kryesia e re AAK-së, e cila, sipas tij, do të reduktohet për nga numri i anëtarëve./Indeksonline/