“Koalicioni i Integrimit do fitojë dhe në 2013-ën, Rama humbës profesionist dhe i pandreqshëm”
Sulmet e nisura nga Edi Rama ndaj disa eksponentëve të së majtës, LSI i cilëson si lajthitje të një dështaku politik
Luan Rama: Zgjedhjet e ardhshme, LSI në proces ristrukturimi
Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama u shpreh se LSI,
është përfshirë në një proces ristrukturimi të strukturave të saj.
Gjatë një konference për shtyp, Rama e vlerësoi këtë proces si demokratik dhe mjaft të rëndësishëm.
Sipas tij, riorganizimi i LSI-së në të gjitha nivelet vjen si domosdoshmëri e misionit të kësaj partie për përballimin e sfidave politike.
“Lëvizja Socialiste për Integrim, si një forcë politike e rëndësishme dhe influente në jetën politike të vendit, është përfshirë prej kohësh në një proces shumë të rëndësishëm, në një proces shumë demokratik dhe Europian që ka të bëjë me ristrukturimin dhe riorganizimin tërësor të saj në të gjitha nivelet, në të gjitha strukturat, e parë dhe e lidhur ngushtë kjo me përballimin e sfidave të mëdha politike që na presin në kohën më të afërt. Ndërkaq më lejoni t’ju bëj të ditur se pjesë shumë e rëndësishme e këtij procesi reformues dhe ridemensionues të Lëvizjes Socialiste për Integrim është fushata e zgjedhjeve që po zhvillojmë në një mori rrethesh dhe qarqesh të vendit, fushatë kjo e dominuar nga fryma qytetare, nga konkurrenca luajale dhe nga transparenca e garës midis përfaqësuesve, individëve influentë me reputacion dhe kredibël që konkurrojnë në strukturat e LSI-së. Kjo fazë, kjo fushatë ka një tipar dominant që lidhet me faktin që ka shumë të rinj dhe të reja që vijnë dhe anëtarësohen në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, midis të cilëve spikasin, në mënyrë të veçantë, njerëz me rekorde qytetare dhe intelektuale, të njohura dhe të vlerësuara edhe nga komuniteti dhe jo vetëm nga strukturat e LSI-së. Pjesë e rëndësishme është parapërgatitja për fushatën e ardhshme zgjedhore, pasi synimi i LSI-së është fitorja në zgjedhjet e vitit 2013”, u shpreh Luan Rama.
Ndërkohë që ndalur në këtë proces ristrukturimi dhe organizimi të strukturave të partisë, Sekretari i Përgjithshëm i LSI, garantoi transparencë të garës mes përfaqësuesve e individëve që do të jenë pjesë e këtij procesi.
Gjatë konferencës për shtyp, Luan Rama komentoi dhe zhvillimet më të fundit në kampin socialist.
Sipas tij, kryesocialisti Edi Rama ka dëshmuar tashmë që është një humbës profesionist dhe i pandreqshëm.
“Unë fola në parashtresën që bëra për çështje shumë të rëndësishme, për çështje parimore që kanë të bëjnë me realitetin politik dhe zhvillimet realisht shumë pozitive në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Midis të tjerave fola edhe për faktin që ka një trend të madh prurjesh dhe anëtarësimesh në Lëvizjen Socialiste për Integrim me sens, në mënyrë të veçantë, të orientuar drejt të rinjve, të rejave dhe intelektualëve. Kështu që nga ky nivel çështjesh parimore nuk denjoj të zbres dhe të merrem me komplekset, fiksimet apo pengjet e një humbësi profesionist dhe të pandreqshëm. Nga kjo pikëpamje më lejoni të përsëris dhe një herë me shumë realizëm dhe me shumë modesti që nuk kemi kohë të humbasim me lajthitjet dhe halucinacionet e një humbësi të pakorrigjueshëm apo të një humbësi profesionist”, tha më tej ai.