E Diel, 1 Nëntor 2026

Shfaqjet e para në funksion të kapterit politik Veliaj janë edhe më poshtë sesa parashikimet

19-12-2011 / Redaksionale

Erion Veliaj është rikthyer më keq seç ishte. Gjatë një interviste për shtyp, përpara se të shoqëronte bosin e tij, E. Rama në Selanik, ka thënë se “kërkon që PS dhe opozita në përgjithësi të përqendrohet tek fitorja e zgjedhjeve me forcat e saj”. Padashje Veliaj ka nxjerrë një kalk të propagandës së kohës, “gjithçka e bëjmë me forcat tona, pa ndihmën e vendeve kapitaliste, apo të fqinjëve tradhtarë”, duke dashur të fitojë zgjedhje pa aleanca dhe me forcat e saj. Më duket, se “edhe bar do hamë, dorën nuk e shtrijmë”, do të realizohet shumë shpejt. Me forcat e saj, PS-ja dhe opozita ishin 142 mijë vota prapa koalicionit të shumicës. Prandaj Erjon Veliaj ka shumë mundësi që nuk di të lexojë shifrat ose përndryshe ka qëllime të tjera politike. Është një kohë kur S. Gjinushi, P. Milo dhe P. Koçi po përgatiten të federohen si koalicion i majtë, veçmas PS-së, dhe Nard Ndoka i PDK ngeli duke i shkelur syrin së djathtës, për të hyrë në karron e fitimtarit. Kurse Edi Rama që ka shkaktuar këtë përçarje dhe këto humbje gjezdis sa andej dhe këtej kufirit për të shitur librin e tij. Dje, Rama, Veliaj, Balla dhe Niko Peleshi ishte në turne, në Selanik, për t’i dhënë selamet “Kurbanit” të kryetarit.
Megjithatë të rikthehemi tek intervista e Erjon Velisë, këtij servili social që kapi majat e PS-së, duke i bërë gropën shokëve. Ai sot është Sekretari i diasporës dhe të rinjve të Partisë Socialiste. Edhe pse është konsideruar prej ish-miqve të tij mjaftistë, si tradhtari i kauzës së të rinjve. Ai shkriu G99 për t’u promovuar sa më shpejt në kryesinë e PS-së. Këtë natyrisht e bëri me sakrificën dhe përkushtim në palo-grevën e urisë përballë kryeministrisë. Erjon Veliaj është sot krahu i djathtë i Ramës, i njëjti njeri që çoi 100 e-maile të turpshme kancelarive europiane për çështjen “Griselda”, sikur kryeministri Berisha me thikë i kishte grabitur fëmijën e paqenë meqenëse ishte e provuar se Saliu votohet në Kavajë. Me një propagandë allasoj, Veliaj ia ka dalë të japë një mesazh fals të rinjve shqiptarë. Mjafton të jesh rebeli i telekomanduar për të kapur ashensorin politik. Kështu e nisi Erjoni duke u telekomanduar si një avion predator kundra qeverisë Nano, që më pas Edi Rama t’i merrte partinë. Protestat e ish-mjaftistëve kishte si skenarist dhe skenograf. Dhe libretist e ka treguar se kush është me kurbanin e refleksioneve të pasinqerta.
Partia Socialiste është kthyer në një ciflig të pasurish që bëjnë politikë për të mbrojtur interesa dhe synuar ndërtesa. Përjashton Kastriot Islamin për motive të dobëta politike. Largon Rudina Seserin sepse vrau shpresën. Dhe të tenton të çojë në “ekzil” Pandi Majkon konkurrent i mundshëm brenda partisë, të cilën e ka mbushur dingas me njerëz që i detyrohen qënien në politikë, Saimir Tahiri e Erjon Veliaj, Mimi Kodheli apo Eglantina Gjermeni. Janë megafonat e rinj të PS-së. Ngase Erjon Braçe, Andis Harasani dhe Arben Malaj detyrohen t’i shprehin qëndrimet dhe mendimet e tyre politike në rrjetet sociale. Ndërsa dhe aty pësojnë konkurrencën e Ramës, që nis mesazhe, editoriale dhe batuta për sytë e gazetarëve.
Sido që të jetë e pritshmja, një gjë mund të thuhet me siguri. Partia Socialiste i ka hyrë një shtegu politik të pashkelur më parë. Në të shumtën e rasteve shtegu i pashkelur tregon se poshtë ka humnerë. Eksperienca tregon se për të ecur të sigurt duhet të ndjekësh hapat e paraardhësve, por kjo nuk është rruga që ka zgjedhur Edi Rama dhe çeta e profetëve të tij. E vetmja rrugë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›