Rrëzimi i diktaturës komuniste, Kosova dhe Çamëria sipas Sabri Godos
Është folur shumë këto ditë (dhe me të drejtë) për njeriun e urtë dhe tashmë të ndjerin Sabri Godo. Natyrisht është dhe do të mbetet një njeri i shquar i letrave shqipe dhe një politikan i urtë siç është thënë tashmë nga të gjithë. Takimet e para me Sabri Godon publiku i gjerë i ka bërë nëpërmjet librave që i shkrimtari botoi gjatë viteve të errëta të komunizmit. Por gjithsesi një njeri do të kujtohet edhe për kontributin e madh që dha në rrëzimin e komunizmit. Thuhet me të drejtë se ishte një politikan i urtë, por kur kujtohen fjalët e tij kumbuese nëpër mitingjet e fundvitit 1990, mund të thuhet se ishte një njeri luftarak, një njeri që me fjalët e tij kërkonte t’i jepte goditjen e fundit komunizmit shqiptar. Natyrisht në ato vite, në Shqipërinë e Mesme por edhe në mbarë Shqipërinë, Partia Demokratike pritej me grumbullime masive ku pothuaj të gjithë qytetarët merrnin pjesë në mitingjet që zhvilloheshin. Por asokohe njerëzit e etur për liri grumbulloheshin të shumtë edhe kur vinte Kryetari i Partisë Republikane Sabri Godo. Edhe ai fliste për lirinë, për demokracinë dhe për rënien e komunizmit. Fliste për një Shqipëri europiane dhe hera-herës mitingjet bëheshin të përbashkëta me përfaqësuesit e Partisë Demokratike. Në këto raste protestuesit brohorisnin akoma dhe më me forccë për lirinë e shumëdëshiruar dhe kundra sistemit gjakatar dhe të egër komunist. Një lider pra që i kishte shumë për zemër fatet e Shqipërisë. Do të kalonin vite dhe njeriu i urtë Sabri Godo do të ishte përsëri atje ku njerëzit brohorisnin për të drejtat e tyre të mohuara duke ju përgjigjur të gjitha ftesave që i vinin nga Shoqata “Çamëria”. Në këto takime, shpeshherë vinte theksin se kishte lindur në Delvinë dhe afërsia me Çamërinë e bënte të ndihej më i afërt me çështjen e pazgjidhur çame. Madje thoshte me mburrje se nganjëherë njerëzit kujtonin se edhe ai vinte nga Çamëria. Por Sabri Godo në të njëjtën kohë ndihej po aq edhe kosovar. Sabri Godo kërkonte të ishte më së shumti atje ku mungonte liria, atje ku mohohej drejtësia. “Tashmë të gjithë e kemi mendjen tek Kosova” - kështu do t’u fliste emigrantëve që udhëtonin bashkë me të në një traget të linjës Bari - Durrës. Dukej diçka e pazakontë që një njeri i rëndësishëm i shtetit të udhëtonte me një traget normal të linjës Itali - Shqipëri. E pazakontë edhe për personelin italian që bënte çmos për të kënaqur në traget plakun e urtë Sabri Godo. I urti Godo i përshëndeste të gjithë, ndalej dhe bisedonte me emigrantët shqiptarë dhe ata nga Kosova. Ishin ditë të rëndësishme. Në Rambuje kishin filluar bisedimet dhe plaku i urtë ishte entuziast. Për pjesën tjetër të shqiptarëve në horizont po dukej liria e shumëpritur. Dhe Sabri Godo ndihej mirë për bisedimet që po kryheshin. Por dukej se kishte edhe ndonjë brengë. Dikush i dhuronte ndonjë libër në italisht të ndonjë shkrimtari Italian dikush tjetër një libër të Xhojsit. Shkrimtari këtë herë emocionohej akoma dhe më tepër, thuajse lotonte. Ishte i lumtur dhe u bënte me shenjë truprojave të tij se gjithçka po shkonte mirë. Dukej se donte të fliste për diçka të rëndësishme, me disa prej emigrantëve që ndodheshin aty. Dhe diçka të tillë e tha mes rreshtave. Aty për aty nuk u kuptua shumë. Do të kalonin disa vite dhe mesazhi i tij do të bëhej më i qartë. Ishin vite kur Milosheviçi po kërkonte të niste shtypjen e kosovarëve. Por nuk kishte fonde të mjaftueshëm për të kryer veprimet ushtarake. Diçka duhet të shiste për të grumbulluar paratë e nevojshme. Por Lindja nuk kishte para. Dhe ja arriti qëllimit. Shiti disa ish-firma shtetërore të rëndësishme. Dhe paratë erdhën. Dhe sulmet filluan…Më vonë filluan dhe sulmet e Nato-s. Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bënë pjesën tjetër të luftës. Dhe i urti, luftaraku, shkrimtari dhe politikani Sabri Godo pa me sytë e tij krijimin e shtetit të Kosovës. Me këshillat e tij edhe këtë herë kishte dhënë ndihmën e tij për lirinë e shqiptarëve të Kosovës. Sepse aty ku mugonte liria, aty ku mungonte drejtësia, aty ku vriteshin shqiptarët, aty ku duhej folur për rrëzime sistemesh komuniste dhe për çështjet ende të pazgjidhura, i urti Sabri Godo do të gjente fjalët e tij luftarake. Tashmë nuk mungon më asgjë nga të gjitha këto. Tashmë mungon luftaraku dhe i urti Sabri Godo.