Koaliconi, PDK kushte LDK-së. Pacolli, presidenti i ri i mundshëm
UPDATE - PDK është mbledhur mbrëmë në mesnatë për të diskutuar mundësinë e shkurorëzimit me LDK-në dhe për ta menduar riformatizimin e Qeverisë. Vlimi ka nisur me fushatën agresive të LDK-së kundër Qeverisë, ndërsa kupa është mbushur kur LDK hyri në koalicion me AAK-në në balotazh. PDK tani ka kushte për LDK-në. Kërkon që partneri qeverisës t'i japë fund hipokrizisë. Sot, sqarohet e ardhmja e koalicionit.
Partia Demokratike e Kosovës duket të ketë vendosur përfundimisht ta sqarojë situatën me partnerin e saj në Qeveri, Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Në një mbledhje që ka zgjatur deri në orët e para të ditës së sotshme, Kryesia e PDK-së është pajtuar që t'i vihen disa kushte LDK-së, pasi që kjo e fundit shkeli Marrëveshjen e Koalicionit qeverisës, duke lidhur koalicione me partitë rivale për raundin e dytë të garës për kryetarë komunash.
Burime të Gazetës Express, nga Kryesia e PDK-së, thonë se LDK-ja duhet të japë sqarime përkatëse se pse ka lidhur koalicione me partitë rivale, në kundërshtim me Marrëveshjen e Koalicionit. Po ashtu, PDK kërkon nga partneri qeverisës që të definojë qartë hierarkinë e saj, pas akuzave të shumta që kanë bërë disa zyrtarë të LDK-së për Qeverinë e Kosovës. Njëherësh, PDK, në bisedimet e sotshme, do ta vërë në tryezë edhe mundësinë e zgjerimit të koalicionit aktual qeverisës, ku mund të futej edhe Aleanca Kosova e Re e Bexhet Pacollit.
"Ne duhet ta kemi një adresë të qartë në LDK. Aktualisht nuk dihet se kush vendos në atë parti", ka thënë një zyrtar i PDK-së.
PDK duket e irrituar me akuzat që po i vijnë nga partneri qeverisës. Por, më e irrituar duket se ndjehet për faktin se LDK lidh koalicione me AAK-në dhe LDD-në në Prizren, Gjilan, në Lipjan...
Sipas Marrëveshjes së Koalicionit qeverisës, kjo nuk lejohet.
"Marrëveshja obligon të dy partitë nënshkruese, PDK dhe LDK që në zgjedhjet lokale të radhës në vitin 2009 dhe në zgjedhjet nacionale të radhës të garojnë si të vetme dhe pa ndonjë koalicion paraprak", thuhet në Marrëveshjen e Koalicionit, e cila është nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu në janar të vitit 2008.
Kushti më i vështirë i PDK-së për LDK-në, duket të jetë ai i zgjerimit të Qeverisë, e ku me ndonjë ministër mund të marrë pjesë edhe AKR-ja.
Pikërisht ky fakt është potencuar nga Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, pas mbledhjes së Kryesisë së PDK'së, rreth orës 1:30 të mëngjesit.
"Kemi konstatuar shkeljen e marrëveshjes nga ana e LDK'së", ka thënë ai.
"Ne kemi vendosur ta shqyrtojmë dhe ta riformatizojmë koalicionin qeverisës. Për sonte mbledhja ka përfunduar. Nesër do të flasim më gjerësisht", ka shtuar Kuçi, duke mos pranuar të japë sqarime shtesë.
Ndërkohë, nga Zvicra është prononcuar edhe Bexhet Pacolli, Kryetar i AKR-së.
Ai ka thënë se gjendjet atje me pushime dhe nuk ka qenë pjesë e asnjë diskutimi për mundësinë e futjes së partisë së tij në Qeveri.
"Unë nuk di asgjë. Para gjysmë ore kam marrë një telefonat nga Kryeministri Thaçi dhe ai më tha se ka mundësi që të përfshihemi në Qeveri", ka thënë Pacolli.
Kryetari i AKR-së ka shtuar se për çdo vendim duhet të konsultohen organet e partisë dhe kjo, sipas tij, merr kohë.
Por, Pacolli nuk ka hezituar të japë një mendim të tij për situatën e krijuar.
"Mendoj se nevojitet formimi i Qeverisë Teknike", ka thënë ai.
Nga ana tjetër, Ramë Manaj, Sekretar i Përgjithshëm i LDK-së, është shprehur i habitur me lëvizjet e PDK-së.
Ai ka thënë se është informuar nga homologu i tij nga PDK-ja, Hajredin Kuçi, se koalicioni mes këtyre partive tashmë është prishur.
"Unë jam informuar nga Zëvendëskryeministri Kuçi, para gjysmë ore me telefon. Ai më tha se "ne kemi lidhur koalicion me LDD-në dhe AKR". Njëkohësisht Kuçi më tha se për këtë çështje unë ta informoj Presidentin. Unë e informova Presidentin dhe nesër do ta shqyrtojmë këtë çështje", ka thënë Manaj.
Sipas tij, arsyeja e PDK-së është se LDK-ja ka nënshkruar koalicione në nivel lokal me partitë tjera, duke shkelur kështu marrëveshjen e koalicionit qeverisës.
"Kështu është thënë nga PDK, por kjo mua më duket vetëm pretekst", ka thënë Manaj.
Ai ka shtuar se deri në mesnatë strukturat e LDK-së nuk janë mbledhur. Sipas tij, Presidenti Sejdiu, i cili njëherësh është edhe Kryetar i LDK-së, ka thënë se për këtë çështje do të diskutohet sot.
Bie qeveria në Kosovë?
Sipas informacioneve te mbremjes nga disa media ne Tirane e Prishtine, koalicioni qeverises PDK-LDK ne Kosove eshte prishur, çka e ben te pavlefshme qeverine aktuale te Kosoves.
Lajmi eshte pare fillimisht ne sajtin online te RTK, televizionin publik te Prishtines, një media e njohur si media prane z.Thaçi.
Sipas RTK, prishja qe pritet te konfirmohet zyrtarisht ne oret ne vijim, ka ardhur per shkak te marreveshjeve te njeanshme qe ka krijuar Lidhja Demokratike e Kosoves me AAK-ne Komunen e Prizrenit dhe Gjilanit.
Mesohet se ne oret e vona te se enjtes, eshte zhvilluar nje takim mes kryeministrit Thaci dhe presidentit Sejdiu.
Ne takim eshte thene se LDK ka shkelur marreveshjen se nuk do te hyje ne koalicion per balotazh me asnje parti, çka çon ne prishejn e koalicionit qeveritar aktual.
PDK pritet te hyje ne koalicion me dy partite opozitare Aleanca per Kosoven e Re e Bexhet Pacollit dhe Lidhjen Demokratike te Dardanise me kryetar Nexhat Dacin, te cilet jane partner koalicionit ne nivel lokal.
Marreveshja e re mund te coje ne postin e Presidentit, kryetarin e AKR, biznesmenin e njohur Bexhet Pacolli, ne postin e kryeministrit Thacin dhe ne postin e kryetarit te Kuvendit, Nexhat Dacin. Ne Prishtine kane nisur llogarite e votave. Mendohet se edhe ne Kuvend koalicioni i ri mund ti siguroje votat e nevojshme, duke perfshire edhe deputete te pakices serbe.