E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, kalon pa debat buxhetin e vitit 2010

TIRANË- Kuvendi miratoi në parim projektbuxhetin e vitit 2010, i cili më pas pritet të shqyrtohet nen për nen në Komisionin e Ekonomisë për të parë nëse mund të merren parasysh kërkesat e disa institucioneve për ndryshime. Në një seancë ku nuk mungonte asnjë prej deputetëve të maxhorancës, diskutimi në lidhje me projektbuxhetin 2010 zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes.
Pjesa më e madhe e deputetëve të pranishëm, si dhe të gjithë ministrat e kabinetit Berisha, parakaluan njeri pas tjetrit në foltoren e Kuvendit duke shprehur vlerësimet maksimale për buxhetin si dhe për qeverinë. Kjo ndodhi në një seancë ku nuk kishte asnjë deputet që t'i bënte oponencë buxhetit.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Sali Berisha e cilësoi këtë buxhet si një hap historik që hidhet në një periudhë kur vendi është anëtar i NATO-s si dhe ka marrë garancinë për liberalizimin e vizave me shtetet e Bashkimit Europian. Sipas tij, buxheti 2010 bazohet mbi të dhëna konkrete të cilat janë më se të realizueshme. "Po i paraqesim shqiptarëve një buxhet i cili bazohet mbi rritjen e të ardhurave me 12 për qind, mbi rritjen e mbështetjes sociale për shtresat në nevojë dhe që merr në konsideratë interesat më fisnike të shqiptarëve, rritjen e pagave dhe pensioneve. Buxheti i vitit 2010 është buxheti i dytë për çdo shqiptar. Ky është buxhet historik në shumë aspekte sepse është buxheti i vitit të parë të ecjes sonë të sigurt drejtë BE-së", - tha Berisha duke shtuar se me anë të tij qeveria mbështet edhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve.
Në buxhet është parashikuar një rritje e pagave dhe pensioneve gjatë vitit të ardhshëm, ku në plan të parë do të jenë ato të ulëtat. Njësoj si viti 2009 edhe për vitin e ardhshëm qeveria parashikon të mbajë një nivel të lartë të shpenzimeve për investime publike.
Ministri i Financave, Ridvan Bode, theksoi se ky është buxheti më i mirë i hartuar ndonjëherë nga qeveria. Gjatë fjalës së mbajtur ai përmendi prioritetet që e karakterizojnë duke përmendur arsimin, shëndetësinë, bujqësinë infrastrukturën dhe shërbimet sociale ku kërkoi edhe bashkëpunimin e krerëve të qeverisjes vendore në realizimin e tyre. Sipas tij, buxheti i vitit 2010 ka dyfishuar fondet për pushtetin lokal por është e rëndësishme që ato të mos përdoren për rroga por për realizimin e projekteve.
Nga foltorja e Kuvendit, Kryeministri Berisha dha edhe një mesazh të fortë për të gjithë zyrtarët e shtetit të cilët janë prekur nga ligji "Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë" që parashikon heqjen e shërbimit me makina. "Makinat kanë qenë praktikë e kohës së nomenklaturës ku kryetarët shëtisnin mbi to. Tashmë jemi në një periudhë tjetër dhe ju siguroj se sa të jem unë në krye të qeverisë ky ligj nuk ka për t'u shfuqizuar pasi kemi kapur një nga standardet më të mira të vendeve të Bashkimit Europian", - tha Berisha.
Rritja ekonomike e vendit gjatë këtij viti si dhe parashikimi për 2010 ka zënë një vend të rëndësishëm në diskutimin e buxhetit. Sipas tij, rritja ekonomike që Shqipëria pritet të ketë për këtë vit, është 5.3 për qind dhe jo 3 për qind siç kishte parashikuar FMN-ja. E. Senja



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›