E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koblenci, kolonia shqiptare në Gjermani

Fatmir Vata, Ardian Gjokaj, Artim Pollozhani dhe Njazi Kuqi janë katër shqiptarë që mbajnë pasaporta të ndryshme, që flasin të njëjtën gjuhë dhe që luajnë në të njëjtin ekip. Të katër janë mbledhur në Koblenc të Gjermanisë nga TuS, klubi qytetës që luan në kategorinë e dytë të këtij vendi. Të parët mbërritën aty Vata e Pollozhani, pastaj Gjokaj dhe në fund Kuqi.
Vata mban numrin e respektuar 11, është gjyshi i skuadrës me 36 vite mbi shpinë dhe është 6 vjet më i vjetër se më plaku ndër gjithë të tjerët. Porse ky gjysh u imponua ndaj të kujtdo në Koblenc sepse fazën e parë luajti më mirë nga të gjithë. Nota mesatare që iu dha nga "Kikeri" është 3.07, duke lënë prapa Goran Sukalo (10 vjet më i ri se Fatmiri ynë) me notën 3.16. Për meritë të notave më pas vijnë Filip Langen (3.25), Denis Ajlhof (3.29) Branimir Bajic (3.35), Marko Lomic (3.36) dhe më pas shqiptari tjetër, Ardian Gjokaj me 3.40. Vata ka 26 gola në 102 ndeshje në kategorinë e dytë gjermane.
I sapoardhuri Kuqi theksoi menjëherë kënaqësinë që gjeti Fatmirin dhe Ardianin në ekip. Në intervistën e parë për faqen zyrtare të klubit ai u shpreh se "unë jam lindur në Kosovë dhe cdokush në Shqipëri e njeh Fatmir Vatën, më parë e kisha parë vetëm në televizor, ndërsa tani pata rastin ta takoj direkt". "Gjithashtu, - shtoi Njaziu, - edhe Ardian Gjokaj ishte i njohur që më parë për mua". Shtatlarti (1.92 metra) me pasaportë finlandeze shpresohet të jetë një përforcim shumë i mirë për fazën e dytë.
Ardian Gjokaj është shqiptar me pasaportë malazeze. Ai është lindur në Malësi të Tuzit ku luajti me Decicin dhe pastaj me Buducnostin e Podgoricës në Mal të Zi. 28-vjecari provoi kategorinë e parë spanjolle me Majorkën në korrik 1999, transferuar me një shumë rekord sot e kësaj dite në Mal të Zi, 2.8 milionë marka gjermane (1.4 milionë euro). Në 2004 shkoi në Serbi (atëherë Serbi/Mali i Zi), fillimisht me Obilicin, OFK të Beogradit dhe në fund me Crvena Zvezdën. Nga gjigandi beogradas ka kujtime shumë të mira, ndërsa edhe gruan e ka serbe. Ardiani shënoi 4 gola në 10 ndeshje në Bundesligën II.
Artim Pollozhanit nuk i ka ecur sa të tjerëve. 25-vjecari me pasaportë maqedonase mundi t'i bëjë vend vetes vetëm në dy ndeshje të Koblencit, madje i futur si zëvendësues ndaj Grojter Fyrtit (në 85') dhe Alemanias së Ahenit (në 82'). Artimi luajti në shumë klube si Makedonija e Shkupit, Shkëndija e Tetovës, Partizani dhe Dinamo të Tiranës, Apolonia e Fierit dhe Karaorman i Strugës. Shtatlartë 1.80 metra, ai mbetet ende i besuar i trajnerit Uve Rapolder.
Bledar Kuka

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›