Koçi: PS, garantja e vetme e Reformës në Drejtësi

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Deputeti socialist Petro Koçi u shpreh sot se Partia Socialiste e mbështet Reformën në Drejtësi, ndryshe nga opozita që e etiketon si organizatë kriminale.
I ftuar në një “AbcNews”, Koçi tha se “është koha të bëhet një bilanc dhe të vihen re disa problematika si mosrespektimi i të drejtës së njeriut dhe paraburgosja”.
“Reforma në Drejtësi nuk ka dështuar. Ne jemi partia që jemi garantja e vetme e kësaj reforme. Bëhet fjalë që ka nevojë për një bilanc tek i cili vihen re dhe gjëra që nuk ecin si duhet si mosrespektim i të drejtës së njeriut që lidhet më shumë me masën e sigurisë si paraburgosja”, tha Koçi.
Koçi vuri në dukje se edhe sot kryeministri Rama e deklaroi mbështetjen pa kushte ndaj reformës dhe dy institucioneve.
“Ne po bëjmë një diskutim të thelluar lidhur me rolin e individëve të veçantë, Sali Berisha dhe Erion Veliaj. Berishës i kërkuan masën detyrim paraqitje dhe përfundoi në arrest shtëpiak se nuk respektoi vendimin. Ndërsa Veliaj ka qenë i hapur”, shtoi ai.
Sipas Koçit, të bësh një reformë të tillë si Reforma në Drejtësi, pa diskutim që brenda do të ketë problematika, nuk mund të jetë në perfeksion.
“Problemi që del tani është që aty mund të ketë individë që mund të jenë bashkëpunëtorë të Berishës. Ata presin reformën e Sali Berishës që këto të bien dhe të jenë ata në krye. Në qëllimet afatshkurtra të këtij bashkëpunimi politik janë të kompromentojnë qëndrimin e PS-së për reformën. Ne e mendojmë si kartë të rëndësishme në fushatën zgjedhore, raportin me drejtësinë, sepse të tjerët i thonë “organizatë kriminale”. Qëllimi i dytë, që lidhet me fatin e Sali Berishës është që duke kompromentuar PS-në t’i sulet drejtësisë”, shtoi Koçi.
/m.m/a.f/r.e/