Koçi: Shumica bllokoi punën e SHISH-it
Nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, Petro Koçi, i është përgjigjur dje nismës së pozitës për reformimin e SHISH-it. Sipas tij, ky shërbim ka propozuar prej kohësh të kryejë operacione edhe në kuadër të krimit ekonomik, por ka qenë pikërisht kreu i qeverisë që e ka penguar këtë ndryshim ligjor. "Ky është një aksion politik i mazhorancës për të ndërtuar një alibi që barrën e fajit do ta kalojë nga Berisha, nga qeveria, në një institucion tjetër shtetëror", tha Koçi. Ai nguli këmbë se e vërteta është se zoti Berisha ka përgjegjësi direkte lidhur me ngjarjen, ka përgjegjësi direkte Ministria e Mbrojtjes, strukturat drejtuese të Forcave të Armatosura dhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë. "Nuk mendoj se është ngjarje apo rast që kërkon të bëhen reforma në një shërbim tjetër informativ si ai i shtetit", vlerësoi Koçi. Deputeti socialist tha se SHISH-i ka muaj që ka kërkuar ndryshime në kuadrin e vet ligjor, por është zoti Berisha, kjo mazhorancë, që kanë penguar reformimin ligjor të mënyrës se si funksionon ai shërbim, sepse ai nuk e ka në fokus korrupsionin dhe krimin ekonomik. "Krimi ekonomik, pasojë e së cilit është dhe kjo ngjarje shumë e rëndë, është krimi dominant në vend dhe nëse duhen bërë reforma është pikërisht marrja e vendimit për të realizuar dhe aprovuar ato kërkesa që ka SHISH-i për t‘i kthyer në kuadër ligjor, por mazhoranca nuk ka pranuar që t‘i ndërmarrë këto ndryshime", vijoi Koçi.