Kocijançiç: S`ka datë për raundin e ri Kosovë-Serbi

Ndonëse kanë mbetur vetëm edhe dy javë për t`i dhënë Serbisë statusin e kandidatit për BE, ende nuk paralajmërohet ndonjë datë për raundin e ri të dialogut të Beogradit dhe Prishtinës. Në Këshillin Evropian thonë se nuk ka asgjë të re në këtë plan.
"Po punojmë në përgatitjen e raundit të ri, por për momentin ende nuk ka datë", ka thënë për shtypin serb Maja Kocijançiç, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së.
Madje thuhet se fare nuk është e sigurt nëse ekipet do të takohen as kësaj jave por se takimi duhet të organizohet gjatë këtij muaji.
Zhvillimi i tillë i ngjarjeve mund të jetë problematik, duke marrë parasysh sinjalet që po dërgon Berlini zyrtar se nuk do të lëshojë pe nëse marrëveshjet arrihen në momentin e fundit para takimit ministror, siç ka ndodhur në dhjetor. Nëse Gjermania vazhdon të mbajë qëndrim të fortë, mund të ndodhë që për kandidaturën serbe sipas disa paralajmërimeve që kanë dalë në opinion, të diskutohet herën tjetër, vetëm në dhjetor.
Në ana tjetër shefi i ekipit negociator serb, Borislav Stefanoviç, ka akuzuar Prishtinën se "po refuzon të gjitha propozimet që po i ofrohen". Beogradi ka ofruar disa opsione dhe të gjitha përfshijnë rezolutën 1244, thotë Stefanoviç.
Ndërkohë nga Brukseli arrijnë paralajmërime se koha po kalon dhe se të dyja palët ftohen që të "demonstrojnë pak vullnet të mirë" me qëllimin që të arrihet marrëveshja rreth së cilës tashmë janë arritur rregullat parimore por jo edhe përmbajtja.