E Martë, 3 Nëntor 2026

Rritja e sigurisë, 1 oficer sigurie në shkollat me deri në 700 nxënës, 2 në shkollat me më shumë nxënës

TIRANË, 17 prill /ATSH/ Qeveria miratoi në mbledhjen e sotme vendimin për rritjen e sigurisë publike në institucionet arsimore parauniversitare dhe kriteret për oficerët e sigurisë.

Sipas këtij vendimi, në institucionet arsimore që kanë kapacitet nga 80 deri në 700 nxënës, do të ketë të paktën 1 oficer policie me shërbim sigurie, kurse në ato me më shumë se 700, do të shërbejnë 2 oficerë sigurie.

Institucionet e arsimit të mesëm gjimnaz, arsimit të mesëm profesional dhe arsimit të mesëm të orientuar, që kanë mbi 80 nxënës, do të kenë 1 oficer sigurie. Kurse shkollat e arsimit bazë ose të bashkuara, që kanë mbi 350 nxënës, po me 1 oficer sigurie.

Shkollat e arsimit të mesëm të lartë gjimnaz, institucionet e arsimit të mesëm të orientuar, institucionet e arsimit bazë ose shkollat e bashkuara, që kanë mbi 900 nxënës, do të kenë 2 oficerë sigurie dhe po kështu shkollat e arsimit të mesëm profesional, që kanë mbi 700 nxënës.

Pagesat e oficerëve të sigurisë sipas vendimit, do të mbulohen nga Ministria e Arsimit.

“Numri i oficerëve të sigurisë dhe shpenzimet përkatëse përballohen brenda numrit total të punonjësve dhe fondeve buxhetore, të miratuara për ministrinë përgjegjëse për arsimin. Për institucionet e arsimit të mesëm profesional, shpenzimet përkatëse përballohen brenda numrit total të punonjësve dhe fondeve buxhetore, të miratuara për ministrinë përgjegjëse për arsimin dhe formimin profesional”, thekson vendimi.

Për zbatimin e VKM-së ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, teksa hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. /j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›