Koçiu: Aparatura inovative Prizmaflex i shtohet Spitalit të Traumës, ul fatalitetin te pacientët me probleme renale

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Prizmaflex është aparatura më e re e shtuar në Shërbimin e Reanimacionit në Spitalin Universitar të Traumës.
Prizmaflex është aparaturë e teknologjisë më të avancuar në trajtimin e pacientëve të traumatizuar që bëjnë dëmtime akute të veshkës apo gjendje septike.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale momente nga realizimi i terapisë renale tek pacientët.
“Aparatura mundëson realizimin e terapisë renale zëvendësuese të vazhdueshme, ka të njëjtat indikacione si dializa, por është e përzgjedhur tek pacientët me hemodinamikë jo stabël. Vendosja në funksion e prizmaflex ndihmon në uljen e sëmundshmërisë dhe fatalitetit te pacientët e traumatizuar dhe kirurgjikal”, theksoi Koçiu.
Dr. Rexhina Sturce, shefe e Shërbimit të Anestezi-Reanimacionit, tha në videon e publikuar nga ministrja Koçiu se “reanimacioni i Spitalit të Traumës është pajisur me një aparaturë të veçantë për realizimin e CRT-së, pra terapisë zëvendësuese të funksionit të veshkave, e cila është një inovacion në trajtimin e pacientëve të Traumës”.
Dr. Grisilda Gjana, shefe e Klinikës së Brendshme numër 2, tha se “kryerja e CRT-së ka indikacione të njëjta me hemodializë standarde. Kryhet tek pacientët që kanë një hemodinamikë jo stabël që është shumica e pacientëve në reanimacion. Kryerja e CRT në spitalin tonë ka dhënë një ndihmë të madhe duke ulur sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë tek pacientët që kanë trauma dhe me dëmtime renale akute”.
Pajisja Prizmaflex në spitalin e traumës 1 nga 6/k.s/a.f/r.e/