Koçiu: Mamografi falas në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës gjatë muajit prill

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka bërë të ditur sot se ndalesa e radhës gjatë muajit prill, për kryerjen e mamografive falas për të gjitha gratë dhe vajzat do të jetë Spitali Rajonal i Gjirokastrës.
Gjatë muajit prill, gratë dhe vajzat në Gjirokastër mund t’i drejtohen spitalit rajonal të këtij qyteti, për kryerjen e mamografive falas pa rekomandimin e mjekut.
Ministrja Koçiu deklaroi sot se “rreth 300 mamografi falas u realizuan gjatë muajit mars në Spitalin Rajonal Korçë, duke i dhënë çdo gruaje mundësinë për një kontroll të nevojshëm”.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur ta shtrijë fushatën e saj sensibilizuese përveç tetorit, edhe gjatë muajve të tjerë të vitit. Kontrollet e rregullta janë thelbësore për luftën kundër kancerit.
/a.f/r.e/