E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodheli: Qeveria gënjeu për rritjen e pensioneve



Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, deputetja e PS-së Mimi Kodheli deklaroi dje se Qeveria gënjeu për rritjen e pensioneve pasi sipas saj, paratë u morën nga tregu i brendshëm, konkretisht nga bankat. "Qeveria shqiptare gënjeu për rritjen e pensioneve, kur këto para i merr nga kursimet në banka të po këtyre njerëzve. Paratë e kursyera të bëra me punë të ndershme nga qytetarët e këtij vendi, nuk mund dhe nuk duhet të përdoren për të ndihmuar Qeverinë në një ditë të zezë si kjo ku e kanë futur ata vendin me duart e tyre, për shkak të keqmenaxhimit të financave publike, korrupsionit e klientelizmit qeveritar dhe papërgjegjshmërisë", tha Kodheli. Më tej ajo deklaroi se Kryeministri Berisha e Ministri Bode po veprojnë në mënyrë të rrezikshme në dëm të ekonomisë pasi po prekin kursimet e qytetarëve në bankat e nivelit të dytë. "Jo vetëm duke mohuar krizën që është tanimë e dukshme në familjet dhe xhepat e gjithkujt; jo vetëm duke mos ndërmarrë nisma për të ndihmuar biznese e sektorë të ekonomisë; por përkundrazi, duke vepruar kundër interesave të qytetarëve e bizneseve shqiptare. Ne i bëjmë thirrje Sali Berishës e Ridvan Bodes të heqin dorë sa nuk është vonë nga depozitat dhe kursimet e shqiptarëve", shtoi Kodheli. Deputetja e PS-së renditi dy arsye se pse këto veprime do të rëndojnë tek qytetarët shqiptarë. "Së pari, sepse ky veprim vë seriozisht në rrezik kredinë për biznese e individë, duke tharë një burim të domosdoshëm për zhvillimin e ekonomisë", tha arsyen e parë Kodheli. Ndërsa arsyeja e dytë sipas saj është se "prek kursimet e të gjithë shqiptarëve e të afërmve të tyre që në rrethanat e krizës ekonomike i kanë besuar kursimet e mundit dhe djersës së tyre, sistemit bankar. Në rast të një përkeqësimi të situatës financiare të Qeverisë, ky veprim do të ishte jo vetëm katastrofa e një kombi, por edhe katastrofa e secilës familje shqiptare, një skenar i frikshëm".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›