Bode: Borxhi do shkojë për investimet publike
Borxhi në euro që mori Qeveria në tregun e brendshëm do të shkojë për investimet publike dhe aspak për rritjen e pagave dhe pensioneve. Ministria e Financave reagoi lidhur me akuzat e kreut të Partisë Socialiste Edi Rama duke theksuar se Qeveria orienton huat dhe borxhet e saj vetëm për të mbështetur investimet publike. "Që nga viti 2005 e në vijim, buxheti i shtetit shqiptar është në suficit primar, që do të thotë se huat dhe borxhet e mara nga Qeveria shkojnë 100% për të financuar investimet publike, të tilla si rrugë, shkolla, ujësjellës, spitale", u shpreh Ministria e Financave përmes një deklarate. Ndërkohë akuzave se rritja e pagave dhe pensioneve ishte një gënjeshtër e Qeverisë dhe se paratë për këto të fundit u morrin nga depozitat e qytetarëve në banka, Financat preferuan t'i komentonin me shifra mbi impaktin që do të ketë vendimi i Qeverisë. "Nga rritja e pensioneve dhe pagave, do të jenë 540 mijë pensionistë që do të marrin një pension shtesë në harkun e një viti, do të jenë rreth 50 mijë punonjës të arsimit që do të marrin 30 mijë lekë të reja shtesë nga kjo rritje e pagave (ose 80 për qind shtesë rroge e plotë mujore), si dhe do të jenë 30 mijë mjekë dhe infermierë që do të marrin një pagë shtesë në vit", thuhet në deklaratën e Financave. Nga ana tjetër kjo ministri bën me dije se vlera vjetore prej 12 miliardë lekësh që vjen si kosto e rritjes së pensioneve dhe pagave do të përballohet tërësisht nga realizmi i të ardhurave në buxhet. Në këtë kuadër ministria shpjegon se në 5 muajt e parë të 2010-ës me gjithë deficitin e shkaktuar nga mosrealizimi i zërit të bashkive prej 4.1 miliardë lekësh janë realizuar sa 92 për qind e programit fillestar ose 5 për qind më shumë krahasuar me 5-mujorin e vitit të kaluar. Kjo është komentuar si një situatë pozitive e financave shqiptare që lejon rritje të pagave dhe pensioneve.