Qeveria: Mos plotësoni adresarin e Ramës
Ministria e Brendsh-me u kërkon qytetarëve të mos plotësojnë adresarin që u ka dërguar Bashkia e Tiranës për përcaktimin e një adrese të saktë të secilës familje.
Sipas Qeverisë, ky dokument që u është shpërndarë kryeqytetasve nga pushteti lokal është i ndryshëm nga ai i miratuar nga Qeveria dhe cenon privatësinë e tyre. Në një njoftim për mediat, mësohet se Ministria e Brendshme i është drejtuar me një shkresë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për verifikimin e statusit të të dhënave që u janë kërkuar qytetarëve të Tiranës në formularin e adresarit të shpallur publikisht një javë më parë nga kreu i Bashkisë, Edi Rama. Po sipas këtij njoftimi, përgjigja e Komisionerit ka qenë "nga ana e Bashkisë së qytetit Tiranë janë anashkaluar kërkesat e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, kërkesat e nenit 35 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5 të Direktivës 95/46 të KE dhe Parlamentit Europian, në të cilin shprehimisht thuhet se të dhënat personale "duhet të jenë të favorshme, koherente në lidhje me temën dhe jo të tejkalojnë qëllimin për të cilin grumbullohen dhe u nënshtrohen përpunimit". Kjo përgjigje e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka ardhur pasi u mësua se në këtë adresar kërkohej informacion për punësimin, arsimin apo edhe numrin e celularit. Në këto kushte, Ministria e Brendshme i ka bërë thirrje publike qytetarëve të Tiranës të mos e plotësojnë adresarin, pasi ai shkel privatësinë e tyre. "Bazuar mbi këtë qëndrim të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe duke ritheksuar shqetësimin për thyerjen e konfidencialitetit të qytetarëve dhe pengimin e implementimit të sistemit të adresave, Ministria e Brendshme i kërkon Z. Edi Rama që në mënyrë urgjente të tërheqë formularin e shpallur publikisht prej tij dhe shpërndarë në kundërshtim me ligjin", thuhet në njoftimin për shtyp. Sipas këtij institucioni "i bëhet thirrje qytetarëve të Bashkisë së Tiranës të mbrojnë të drejtën për privatësinë e të dhënave të tyre personale, të jenë të kujdesshëm dhe të mos plotësojnë të dhënat që u kërkon Z. Rama në tejkalim dhe anashkalim të ligjit, mbi numrin e telefonit fiks dhe celular, sipërfaqes së pronës, të qënurit emigrant ose jo, punësimit e arsimimit, profesionit dhe vendit nga vijnë". Përmbajtja e adresarit të shpërndarë nga Bashkia e Tiranës u denoncua një javë më parë nga zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, i cili publikoi modelin e miratuar nga Qeveria në të cilin kërkohet emri, atësia, mbiemri, ditëlindja dhe statusi i banesës (nëse është apartament në pronësi, apartament me qira, apo nëse ka apartament tjetër në pronësi).