E Diel, 1 Nëntor 2026

Rudina Arapi Somelierja zgjedh verërat për italianët



është një 27-vjeçare shqiptare fituesja e edicionit të parë të Kampionatit për “Miglior sommelier” të Firences, rezervuar për të regjistruarit e delegacionit fiorentin të Ais-it (Associazione Italiana Somelier).

Edhe pse në Shqipëri nuk kemi ndonjë traditë të spikatur të verës, madje mezi e gjen edhe fjalën shqipe ngjërues vere (por sot përdoret gjerësisht fjala degustator) për të përkthyer frëngen sommelier, është një vajzë e re shqiptare fituesja e edicionit të parë të Kampionatit për Ngjëruesin më të mirë fiorentin të Ais-it. Aktualisht Rudina është me punë në restorantin Teverini të qytetit Bagno di Romagna. Por është formuar profesionalisht në kryevendin toskan, madje ishte regjistruar në delegacionin Ais të Firences edhe për Oskarin e Verës 2010 që u zhvillua në Romë, të shtunën e parë të qershorit. “Ku nuk fitova” – saktëson menjëherë, edhe pse e përgëzojmë për pjesëmarrjen. – Isha ndër tre kandidatët për kategorinë Miglior sommelier nel proprio restorante”.
Shpjegon se në Oskarin e Verës 2010 jepen çmime për kategori të ndryshme si për spumantin më të mirë, verën e kuqe/të bardhë më të mirë, për restorantin me verërat më të mira, për sommelierin më të mirë e të tjera kategori akoma.
Rudina tregon se ka ardhur në Pisa në moshën 14-vjeçare bashkë me prindërit e tri motrat e saj më të vogla. “Shumë shpejt krahas shkollës më është dashur të punoj, kryesisht si bariste. – thotë ajo. – Për të ndihmuar prindërit. Nuk është e lehtë me katër vajza të vogla... Duke kaluar nga një bar në tjetrin, pata fatin të punoj edhe në një enotekë dhe e nxitur nga shpotitë e pronarit të enotekës që më thoshte “nuk dallon dot as verën e bardhë nga e kuqja!”, por edhe ngaqë vera më pëlqen, vendosa të regjistrohem në shoqatën Ais dhe të ndjek kursin në Firence për somelier”. E kështu mori këtë profesion kaq të veçantë për një vajzë të re shqiptare.
Në nëntor të vitit të shkuar, si sommelier AIS ka përfaqësuar Shqipërinë në një garë evropiane të zhvilluar në San Marino nga WSA (Worldwide Sommelier Association). U rendit e katërta mes të gjithë pjesëmarrësve (16 vetë) dhe e para mes katër vajzave.
“Ende nuk është vendosur, por kam shumë dëshirë ta përfaqësoj edhe këtë vit Shqipërinë, – tregon Rudina – këtë radhë në Kampionatin Botëror për somelier-in më të mirë për vitin 2010 që do të zhvillohet në Santo Domingo në tetor”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›