E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi, shefat e diplomacisë: Nuk ka garanci pa veprime konkrete

Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, dhe ai grek Stavros Lambrinidis theksuan se kjo vizitë është shenjë mbështetjeje për Shqipërinë, andaj i takon palës shqiptare të plotësojë rekomandimet e kërkuara. Ata theksuan domosdoshmërinë e një pakti kombëtar për integrimin në BE

TIRANË Për shefat e diplomacisë europiane statusi i vendit kandidat për Shqipërinë varet nga zbatimi i kritereve të kërkuara nga Brukseli. Pas takimeve të zhvilluara me presidentin Topi, kryeministrin Berisha, zv.kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Haxhinasto, dhe kryetarin e opozitës, Rama, dy ministrat e Jashtëm të dërguar nga BE-ja, Franko Fratini dhe Stavros Lambrinidis, theksuan se nuk ka garanci për asnjë vend, garancia e vetme, sipas tyre, janë vetëm reformat dhe veprimet konkrete. Të pyetur mbi mundësinë e një përmbajtjeje pozitive në progres-raportin për Shqipërinë në muajin tetor, dy ministrat përcollën mesazhin se kjo varet vetëm nga arritjet konkrete.

“Nuk ka garanci për asgjë dhe për asnjë vend. E vetmja garanci janë zbatimi i kritereve. Padyshim që Komisioni Europian do ta ndjekë me vëmendje zbatimin e 12 rekomandimeve dhe është koha që të filloni menjëherë nga puna, jo duke shqyrtuar çdo rekomandim, por të paktën të ecni përpara me çështje të rëndësishme dhe konsensusi të fillojë të zhvillohet”, - tha dje Lambrinidis. Edhe ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, e përqendroi mesazhin e tij pikërisht te vullneti politik mes palëve. “Funksionimi normal i Parlamentit, ekuilibri i duhur mes forcave politike, emërimet e larta dhe mënyrat si do të bëhen këto gjëra, do të jenë një provë e rëndësishme për Shqipërinë. Nëse liderët që na rikonfirmuan angazhimin politik për t'i bërë këto nuk do t'i reflektojnë me vepra dhe jo me fjalë, nuk do të ketë asgjë pozitive në raport. S’mund t’ju japim garanci se çdo të ketë në raport, por çdo gjë varet nga veprat konkrete... Avokati i Popullit, rifillimi i funksionimit të Parlamentit dhe rimbledhjet e Komisionit të integrimit.

Nëse ka vullnet politik, këto tri gjëra mund të bëhen në kohë për t’u reflektuar në raportin e tetorit ose më vonë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm”, - tha Fratini. Të dy ministrat theksuan se kjo vizitë është një shenjë mbështetjeje për Shqipërinë, prandaj i takon palës shqiptare të plotësojë rekomandimet e kërkuara. Ata theksuan domosdoshmërinë e një pakti kombëtar për integrimin në BE. “Integrimi është një objektiv për shumicën dërrmuese të popullit. Ne jemi këtu dhe përfaqësojmë BE-në. Ne jemi mbështetës të përzemërt të Shqipërisë dhe të ardhmes europiane. Mesazhi që dua të përcjell është nevoja e bashkimit kombëtar në rrugën drejt Europës. Tashmë që Parlamenti ka rifilluar punën e vet, ne mendojmë që duhet të nisim nga puna për 12 prioritetet e BE-së”, - tha Lambrinidis. Sipas tij, një prej reformave që duhet të përmbushë Shqipëria është edhe ajo që i përket minoriteteve. “Disa nga këto reforma kanë të bëjnë me zgjedhjet, të drejtat e njeriut apo me minoritetet... Jemi të kënaqur që këto janë edhe në fokusin e politikës shqiptare. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të plotësojë kërkesat e BE-së”,- shtoi ai. Diplomati grek theksoi se rruga drejt BE-së është e vështirë dhe për pasojë nevojiten përgatitje rigoroze dhe bashkëpunim mes forcave politike. Nga ana e tij, edhe ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franko Fratini, ka kërkuar që të rifitohet koha e humbur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›