E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi Penal i 52-shit, dënime për “Krimet morale ndaj shoqërisë”

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Morali i shoqërisë socialiste nuk e pranote frymën individualiste, indiferentizmin dhe propagandonte në vend të këtyre, një marrëdhënie kolektive, ku çdo individ duhej të funksiononte brenda së tërës. Shumë aspekte të veprimtarisë, që sot i konsiderojmë private, vetëm 17 vjet më parë konsideroheshin si problem i kolektivit të punës, frontit, lagjjes, organizatës së partisë apo të rinisë, i kryesisë së kooperativës e më gjerë, i gjithë shoqërisë. Në vend të fjalës “unë” dëgjohej shumë më shpesh fjala “ne”. Që të bëje jetë kolektive, kjo nuk përcaktohej vetëm nga rrethanat e jetës, as vetëm nga mbledhjet e pafundme ideologjike, as vetëm nga temperamenti shqiptar i të gjendurit pranë, i ndihmës, apo edhe i futjes së hundëve në punët e tjetrit. Kolektiviteti ishte ngritur në normë të shoqërisë socialiste, madje, edhe në ligj të saj. Frymën kolektiviste dhe përgjegjësinë që rridhte prej saj, madje jo vetëm si përgjegjësi morale, por edhe ligjore, e gjen të shprehur në seksionin “Krime të rrezikshme për jetën dhe shëndetin” të Kodit Penal të vitit 52, ku në disa nene të tij janë shprehur dënime nga punë korrektonjëse, deri në dy vjet burgim për lënien pa ndihmë të personave që janë në rrezik jete.
Ndërkohë, në Kodin Penal të vitit 95, ndonëse nuk mungon kapitulli i dënimit të “veprave
penale që rrezikojnë jetën dhe shëndetin nga mosdhënia e ndihmës”, vihet re se detyrimi për ofrimin e ndihmës ngushtohet vetëm tek personat që kanë përgjegjësi për shkak të funksionit apo detyrës që kryejnë. Kryesisht, kjo lloj përgjegjësie kanalizohet tek kujdesi shëndetësor, në nenin 96 (i shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni14), i cili thotë: Mjekimi i pakujdesshëm i të sëmurëve nga ana e mjekut ose e personelit tjetër mjekësor si dhe moszbatimi i terapisë ose i porosive të mjekut nga personeli mjekësor apo farmacist, kur ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të shëndetit, ka rrezikuar jetën e personit ose ka shkaktuar vdekjen e tij, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar infektimin e të sëmurëve me infeksionin HIV/AIDS, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.” Gjithashtu, nenet e mëpasme dënojnë vetëm ata persona, që janë përgjegjës me ligj. (Këtu bën përjashtim kapiteni i anijes të cilit i duhet të shpëtojë personat në rrezik mbytjeje, edhe kur nuk janë ekuipazh i anijes së tij).
Në pamjen e përgjithshme vërehet se në kodin më të ri penal, mosdhënia e ndihmës dënohet më rëndë se në kodin e vjetër, por këtu mbahen parasysh rrethanat apo precedentët më të rrezikshëm e më të shprehur në ditët e sotme. (P.sh, në kodin e vjetër nuk parashikohet vdekja e pacientit nga modhënia e ndihmës mjekësore, pasi presupozohej se kjo gjë nuk mund të ngjaste, por vetëm keqësimi i shëndetit. Gjithashtu, dënimet më të ashpra synojnë të kompensojnë sa mungesën e ndjenjës së ndihmës- që është zbehur në popull, po aq edhe pamundësinë, tashmë ligjore, për të dënuar indiferencën vrasëse të individit dhe të shoqërisë (jashtë kuadrit të përgjegjësive zyrtare. Se p.sh. ushtria është e detyruar të ndihmojë popullsinë e rrezikuar të një zone, zjarrfikësit banorët e një godine, por të tjerë njerëz nuk marrin përsipër asnjë lloj detyrimi. Atëherë, për të minimizuar vlekjet aksidentale është forcuar masa e ndëshkimit ndaj personave të veshur me përgjegjësi për ndihmë, përgjegjësi e cila u është zhveshur tërësisht personave të tjerë.

Sipas Kodit Penal të 52-shit

Lënia në një gjendje të rrezikshme dhe lënia pa ndihmë
Neni 156
Lënia pa ndihmë e një personi që ndodhet në rrezik jete dhe që nuk ka mundësi të kujdeset për mbrojtjen e vet për shkak se është i vogël nga mosha, plak, i sëmurë ose për ndonjë shkak tjetër pamundësije, kur personi që e ka lënë pa ndihmë detyrohej të kujdesej për të dhe kishte mundësi ta ndihmonte, dënohet: me punë korektonjëse ose me heqje të lirisë gjer në dy vjet.

Neni 157
Mosdhënia ndihmë një personi që ndodhet në rrezik jete kur kishte mundësi për t u ndihmuar, në qoftë se nga mosdhënia e ndihmës ndodhi vdekja ose një plagosje e rëndë, dënohet: me qortim shoqëror ose me punë korektonjëse.

Neni 158
Mosdhënia ndihmë pa shkaqe të arsyeshme një të sëmuri nga ana e një personi që me ligj ishte i detyruar ta jepte këtë ndihmë, dënohet: me qortim shoqëror ose me gjobë gjer në pesëmijë lekë ose me punë korektonjëse. Po kjo vepër, kur dihej se mund të sillte pasoja të rënda për të sëmurin, dënohet: me punë korektonjëse ose me heqje të lirisë gjer në dy vjet.

Neni 159
Mosdhënia e ndihmës nga kapiteni i anijes, njerëzve që janë duke u mbytur në det ose në ujëra të tjera, kur kjo ndihmë mund të jepej pa rrezik serioz për anijen, ekipazhin dhe udhëtarët, dënohet: me punë korrektonjëse ose me heqje të lirisë gjer në dy vjet.

Sipas Kodit penal të vitit 95

Neni 97
Mosdhënia ndihmë
Mosdhënia e ndihmës, pa shkaqe të arsyeshme nga ana e personit që me ligj ose për shkak të detyrës detyrohej ta jepte atë, kur si pasojë e saj është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit, rrezikimi i jetës ose vdekja, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 98
Mosdhënia e ndihmës nga kapiteni i anijes
Mosdhënia e ndihmës nga kapiteni i anijes njerëzve që janë duke u mbytur në det ose në ujëra të tjera, kur kjo ndihmë mund të jepej pa rrezik serioz për anijen, ekuipazhin dhe udhëtarët, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në katër vjet.

Ky lajm është publikuar: 05/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›