E Diel, 1 Nëntor 2026

“E dua bebin tim”

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Porsa hyn në derën e madhe blu dëgjon të qarat e tyre. E kush nuk e di se çfarë u mungon këtyre të sapolindurve. Mami dhe babi! Përkëdheljet që i marrin nga një dorë e huaj. Janë foshnjat e braktisura në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, të cilët pas braktisjes nga prindërit biologjikë presin dy prindër birësues. Sot ata janë vetëm katër, por dje kanë qenë më shumë dhe nesër mund të shtohen apo të pakësohen.
Foshnjat e braktisura
Infermieret-edukatore dhe punonjësja sociale që merren me mirëmbajtjen e këtyre foshjave tregojnë se, fatmirësisht, bebet po braktisen gjithnjë e më pak. “Vetëm 25 foshnja u braktisën gjithsej gjatë vitit 2007. Krahasuar me vitet e mëparshme, numri i bebeve të braktisura ka rënë. Aktualisht ne kemi vetëm katër foshnja të vegjël, të cilët qëndrojnë në maternitet, maksimumi, dy muaj. Më pas ato dërgohen në Shtëpinë e Foshnjës, e cila ndodhet në Sauk dhe i nënshtrohen më pas procesit të birësimit sipas kërkesave që ka. Mund të themi se gati të gjithë fëmijët e braktisur janë birësuar duke nisur nga 0 deri në 6 vjeç”, - thotë Mira Asllani, punonjëse sociale pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.
Nënat
Sipas Mirës, nënat që i braktisin këta fëmijë janë nga mosha 15 e deri në moshën 40 vjeç. Arsyet janë të ndryshme, por më shumë dominojnë kushtet ekonomike dhe mentaliteti i shoqërisë sonë, sidomos në rrethe ku femrat e pacelebruara detyrohen më shumë nga opinioni të braktisin fëmijën e tyre. Foshnjat e braktisura nuk vijnë vetëm nga Tirana, por edhe nga rrethet. Kur fëmija lind, nëna vendos nëse do që ta mbajë apo jo. Punonjësja sociale tregon se vështirësia për të braktisur foshnjën nuk shprehet njëlloj. “Ka vajza që ndahen me lot nga bebja e tyre, por ka dhe të tjera që nga urrejtja për të atin e fëmijës, i cili nuk u njeh atësinë, marrin inat dhe fëmijën dhe nuk shprehin asnjë lloj keqardhjeje, kur vendosin ta braktisin”, - thotë Mira Asllani.
Reparti i foshnjave
Pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” ndodhet një repart i specializuar për t u kujdesur për fëmijët e braktisur. Në këtë repart aktualisht janë 4 fëmijë, të cilëve u shërbejnë në çdo kohë një mjek, një punonjës social, një kryeinfermiere dhe 6 infermiere në kohë të ndryshme gjatë 24 orëve. Në këtë maternitet janë braktisur më shumë se 300 fëmijë që nga 1995, për të cilët është dhënë gjithmonë përkujdesja e duhur deri në momentin që janë larguar që nga ky maternitet.
Identiteti
Të katër fëmijët kanë identitetin e tyre të cilin zakonisht ua lë nëna që i lind dhe më pas çohen për birësim, pasi nënat nuk kanë mundësi t i mbajnë ata. Sipas punonjësve të këtij reparti, gjendja e këtyre fëmijëve është normale. Nuk ka asnjë fëmijë me probleme serioze apo me sëmundje të trashëgueshme, që të përbëjë problem për birësimin e tyre. Sipas punonjëses sociale të këtij reparti, Mira Asllani, këta fëmijë kanë më shumë mundësi për t u birësuar, pasi mosha e tyre është shumë e vogël dhe preferohet nga prindërit birësues. Përveç të tjerave, ajo pohon se këta fëmijë kanë një zhvillim psiko-motor më të lartë se fëmijët, që jetojnë në familje normale, pasi ata çdo ditë janë në kontakt me njerëz të ndryshëm dhe kjo i bën këtë fëmijë më të vëmendshëm dhe më aktivë. “Që këta fëmijë të ndihen sa më afër familjes, stafi ka bërë një ndarje vizive për çdo fëmijë, në mënyrë që çdonjëri prej tyre të ndiejë ngrohtësinë e nënës”,- thotë Asllani. Në këtë repart ka gjithmonë fëmijë të braktisur, të cilët kalojnë aty një pjesë të kohës, deri sa të përgatitet dokumentacioni i duhur, por jo më shumë se dy muaj.
Përkujdesja
Për veshjet, ushqimin e pelenat ka që nga viti 1995 që kujdeset OSAAB, një organizatë amerikane me përvojë për fëmijët e braktisur. Përveç gjërave të nevojshme, kjo organizatë ka mundësuar edhe rregullimin e ambienteve të fëmijëve, si dhe lodrat e tyre. Për të qenë sa më pranë dhe për të krijuar një ambient sa më familjar, stafi mundëson festa të vogla, në mënyrë që këta fëmijë të mos ndihen të vetmuar.
Birësimi
Foshnjat e braktisura pothuajse në të gjitha rastet janë jashtë martese dhe nënat janë të moshave nga 15 deri në 40 vjeç. Fëmijët që janë çuar për birësim kanë ndjekur të gjitha procedurat që kërkon ligji dhe janë të gatshëm për t u birësuar nga ato familje, të cilat kanë depozituar kërkesat e birësimit. Sipas infermiereve, fëmijët kanë një zhvillim normal psikomotor, ndaj kanë mundësi të birësohen brenda një kohe mjaft të shkurtër. Madje, dokumentacioni i këtyre fëmijëve është plotësuar në një kohë shumë të shkurtër, pasi ka pasur shumë kërkesa nga familjarë të ndryshëm. Një numër i konsiderueshëm kërkesash birësimi ka ardhur nga familje të huaja, disa prej të cilave i kanë vizituar fëmijët edhe në ambientet e maternitetit. Punonjësja sociale tregon se është më mirë që nënat të deklarojnë që në fillim për braktisje e fëmijës pasi, sa më shumë kohë të kalojë për të marrë një vendim, aq më shumë do të vonohen dokumentet dhe procedurat e birësimit. Kjo vjen pasi disa nëna mendojnë ta ndjekin fëmijën deri disa muajsh, por më vonë zhduken pa lënë asnjë gjurmë. Megjithatë, në rastet kur familja e vajzës është në dijeni për lindjen e fëmijës, foshnjat nuk braktisen. Pavarësisht se fëmija nuk ka një baba që t i njohë atësinë, familja e vajzës tregon më shumë pjekuri, edhe nga vetë eksperienca dhe nuk e braktis foshnjën. Por nga ana tjetër, punonjëset e maternitetit tregojnë se ka dhe raste kur vajzat arrijnë ta fshehin shtatzëninë dhe kur vjen koha e lindjes i braktisin foshnjat, ndonëse me shumë dhembje.

Fëmijët jetimë
Sipas një raporti të Amnesty International, thuhet se vetëm gjatë periudhës qershor-dhjetor 2007 janë trajtuar në institucionet publike gjithsej 281 fëmijë, 55 ditorë dhe 226 rezidencialë. Prej tyre 101 fëmijë janë të gjinisë femërore dhe 125 të gjinisë mashkullore, ku 157 jetimë sociale dhe 69 jetimë biologjikë. Sipas të dhënave të mëtejshme të raportit, numri i fëmijëve rezidencialë në total është ulur nga 351 në 281 fëmijë me një mesatare prej (8 % ). Janë trajtuar në 24 qendra ditore dhe 16 rezidenciale jopublike gjithsej 6364 fëmijë (347 rezidenciale). Janë pranuar gjithsej në institucione publike dhe jopublike me vendim komisioni 96 fëmijë. Janë birësuar gjatë periudhës qershor-dhjetor 2007 39 fëmijë (20 jashtë vendit dhe 19 brenda vendit ). Janë transferuar nga një institucion në një tjetër me vendim komisioni, 13 fëmijë.

Arsimimi
Po sipas këtij raporti, thuhet se kanë filluar studimet në shkollat e mesme 24 fëmijë jetimë që trajtohen me bursë nga shteti. Në praktikë, shumica e fëmijëve të jetimoreve shtetërore vazhdojnë shkollën e mesme, zakonisht atë profesionale. Gjatë kësaj kohe, ata janë nën përgjegjësinë e Ministrisë së Arsimit dhe u sigurohet qëndrimi falas në konviktet e shkollës, arsimimi, ushqimi dhe 10.000 lekë në vit për veshje, si dhe një pagesë e përmuajshme për shpenzime personale minimale prej 500 lekësh. Jetimët kanë pak zgjedhje. Strehimi nëpër konvikte është pothuajse e vetmja zgjidhje për strehimin që u ofrohet jetimëve të kësaj grupmoshe (14 deri 18 vjeç), ku ata strehohen së bashku me nxënës që vijnë nga rrethet e tjera. Në raport thuhet se, për sa u përket fëmijëve, që nuk dëshirojnë ose nuk janë në gjendje të ndjekin shkollat e mesme, shteti nuk u siguron asgjë përveçse u lejon atyre që nuk kanë mbaruar ende arsimin e detyruar të qëndrojnë në jetimore deri në moshën 17 vjeç.
Tarifa ditore e ushqimit
Sipas të dhënave nga SHSSH-ja, tarifa ditore e ushqimit për fëmijët jetimë në shtëpinë e foshnjës është 240 lekë. Vetëm 10 lekë më shumë nga ketgoria e parë, 250 lekë llogaritet tarifa e ushqimit për fëmijët më të rritur të moshës 3 deri në 6 vjeç. Ndërsa për fëmijët jetimë të moshës 6 deri në 15 vjeç tarifa është përcaktuar 270 lekë, duke vijuar me 10 lekë më shumë rritje pavarësisht moshës madhore apo oreksit për të konsumuar më shumë. Akoma më e vogël mbetet tarifa ditore e ushqimit për të moshuarit që janë vendosur në shtëpinë e të moshuarve, e cila është përcakuar në kuotën e 230 lekëve. Tarifat për kuotat ushqimore për fëmijët jetimë që trajtohen në institucionet e përkujdesit social është përcaktuar në bazë të Udhëzimit 303 të datës 13.02.2007 të Ministrisë së Punës.
Ky lajm është publikuar: 05/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›