E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur braktisja e prindërve, dënohej nga ligji...

Autori i Lajmit: Denisa Kona
“Atomizimi i shoqërisë shqiptare”, (një term i huazuar nga Prof. Dr. Zyhdi Dervishi), është shoqëruar me një varg problemesh, që e kanë bërë më të vështirë jetesën për grupe të caktuara shoqërore, sidomos për të moshuarit që jetojnë vetëm, por dhe për shtresa të tjera të margjinalizuara. Numri i pleqve të braktisur dhe i fëmijëve gjithashtu të braktisur është përtej matematikës, një panoramë e dhimbshme, sidomos nëpër qytetet tona. Por 20 vjet më parë askush nuk mund të ishte jashtë vëmendjes së të gjithëve. Përgjegjësitë nuk ishin vetëm familjare, shoqërore, administrative, por edhe përgjegjësi ligjore. Kodi Penal i vitit 95 kishte parashikuar dënime për shkeljet e detyrimeve familjare. Ndërsa sot, jo ta dënosh, por edhe t i tërheqësh vërejtjen dikujt, se ka lënë në rrugë fëmijën apo se ka lënë pa ndihmë prindërit e tij, shihet shtrembër si ndërhyrje në punët e tjetrit. Ligji i sistemit socialist i kishte vënë fre “larjes së duarve” nga detyrat familjare. Sipas nenit 177 të tij, mosdhënia e mjeteve të ushqimit fëmijëve me gjithë mundësinë e dhënies së tyre si dhe lënia e fëmijëve të mitur pa asnjë përkrahje nga ana e prindërve, dënoheshin me punë korektonjëse ose me heqje të lirisë gjer ne tre vjet. Dhe e njëjta vepër, por kundrejt prindërve dhe bashkëshortit të paaftë për punë dënohej deri në 1 vit heqje lirie.
Në regjimin e kaluar, as që mund të imagjonohej braktisja e fëmijës nga prindërit. Por duke iu përshtatur një realiteti të ri, kur braktisja është tashmë fenomen, legjislacioni ka parashikuar ndëshkime edhe për këto rrethana. Braktisja e fëmijës nën 16 vjeç nga prindi ose personi që është i detyruar të kujdeset për të ndëshkohet nga gjoba deri në tre vjet burg, por kur vepra ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të shëndetit apo vdekjen e fëmijës, dënohet me burgim nga 3 deri në 10 vjet.
Duke qenë se divorcet janë shtuar, për më tepër që lëvizja e lirë e popullsisë paraqet raste të shtuara kur ish-bashkëshortët jetojnë shumë larg njëri-tjetrit (rrjedhimisht larg fëmijëve), një situatë e tillë bart rrezikun që njëri prind të lërë pa mbështetje financare fëmijën e tij. Në këto kushte, kodi i vitit 95 ka parashikuar sanksione me nenin 126 duke paraprirë me masa gjobe e deri në burgim tre muaj për mosnjoftim të ndryshimit të vendbanimit brenda afateve ligjore.
Sidoqoftë, detyrimet familjare në kodin e ri të familjes kufizohen vetëm në rastet, kur ato janë parashikuar me vendim gjyqësor. Ky moment do të thotë, se dhënia e ndihmës bashkëshortit ose prindërve nuk është detyrim të ofrohet pa një vendim të tillë. Një frymë e tillë e përjashtimit nga detyrimi është reflektim i ftohjes së marrëdhënieve të afërta në shoqërinë shqiptare, që as ligji nuk i bën “më të ngrohta”.

Sipas Kodit Penal të 52-shit

Shkelja e detyrimeve familjare
Neni 177
Mosdhënia e mjeteve të ushqimit fëmijëve me gjithë mundësinë e dhënies së tyre si dhe lënia e fëmijëve të mitur pa asnjë përkrahje nga ana e prindërve, dënohen: me punë korrektonjëse ose me heqje të lirisë gjer në tre vjet. (Kjo vlen edhe për kujdestarin tek neni 179)

Neni 178
Mosdhënia e mjeteve të ushqimit prindërve dhe bashkëshortit të paafte për punë, me gjithë mundësinë e dhënies së tyre, dënohet: me punë korrektonjëse ose me heqje të lirisë gjer në një vit.

Sipas Kodit Penal të 95-s

Braktisja e fëmijëve të mitur
(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 34)
Braktisja e fëmijës nën moshën 16 vjeç nga prindi ose personi që është i detyruar të kujdeset për të, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Kur nga vepra është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit ose vdekja e fëmijës, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Neni 125
Mosdhënia e mjeteve për jetesë
Mosdhënia e mjeteve të nevojshme për jetesën e fëmijëve, të prindërve ose të bashkëshortit, nga personi që në zbatim të një vendimi gjyqësor detyrohet ta japë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Ky lajm është publikuar: 05/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›