E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Presidenti Topi po prish standardet e zgjedhjeve

Partia Socialiste ka përshkallëzuar dje qendrimet e veta ndaj Presidentit të Republikës, duke e cilësuar kthimin e Kodit Zgjedhor si pretekst, i cili po shkakton vonesa e po rrezikon integritetin e krejt procesit

TIRANE - Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore ka zhvilluar ditën e djeshme një mbledhje me dyer të mbyllura ku ka vendosur se çfarë do të rishikohet në nenet e kthyera nga Presidenti i Republikës.
Pas përfundimit të mbledhjes bashkëkryetari socialist i këtij komisioni Fatmir Xhafaj tha se edhe pse komisioni u ngrit mbi bazën e vendimit të miratuar pardje në seancë plenare “objekti i punës së këtij komisioni është shumë i kufizuar, një gjë e përcaktuar dhe në vendimin përkatës së Kuvendit që detyrë e tij është të shqyrtojë vetëm dekretin e Presidentit të Republikës”. “Rregullorja e Kuvendit dhe vetë vendimi i saktë i përcaktuar nga Kuvendi, i jep komisionit një objekt shumë të kufizuar, të shqyrtojë dekretin e Presidentit të Republikës, kjo për sa i takon aspektit si bashkëkryetar i këtij Komisioni. Komisioni bëri mbledhjen e tij të parë më duhet t`u informoj, në mbledhje i ngarkohej grupit të ekspertëve të bëjë amendamentin përkatës si dhe relacionin shoqërues që do t`i paraqitet Komisionit dhe do ta shqyrtojë komisioni në mbledhjen e tij më të parë të mundshme dhe do ti kalojë pastaj për miratim seancës”, deklaroi Xhafaj.
Duke iu referuar dekretit të Presidentit të Republikës, Xhafaj tha se ai “nuk është veçse një pretekst i tij, duke shfrytëzuar të drejtën e vetos për të kthyer ligjin”. “Ky dekret  padyshim solli sot një pasojë shumë të madhe. Sot kemi një situatë tjetër, nuk mund të themi më se kodi është në kohën e tij të mundshme, optimale për procesin elektoral, përkundrazi mendoj se kthimi që iu bë kodit zgjedhor ka luajtur një rol negative për shkak se ka futur të gjithë procesin në një ngërç të madh, duke krijuar mjaft probleme. Ajo që dua të them tjetër është se mënyra se si po e trajton mazhoranca, dhe personalisht zoti Berisha gjithë këtë proces, vazhdon të krijojë probleme serioze për procesin. Jemi përpara pamundësisë për të plotësuar një sërë detyrimesh që vendos Kodi nga palët normale të tij për ta bërë gjithë procesin sa më efektiv. Nëse vazhdohet kështu, vihet në pikëpyetje integriteti i procesit elektoral, një sërë elementesh të rëndësishme siç është ngritja dhe formatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Të mos harrojmë se nëse zgjatet ky proces, KQZ shkon në sesionin tjetër dhe kalimi i thirrjes së saj shkon po ashtu në sesionin tjetër, çka do të thotë vonesë në nxjerrjen e udhëzimeve përkatëse të cilat minimalisht duhet të ishin gati 6 muaj më përpara, kështu që krijojnë probleme me nxjerrjen e akteve nënligjore që detyrohet qeveria nga ky kod zgjedhor për kartat e identitetit, krijohen  probleme për listat e zgjedhjeve, dhe një sërë problemesh të tjera”,  deklaroi Xhafaj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›