E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi Zgjedhor, të hënën në Tiranë, Komisioni i Venecias dhe ODIHR

Ministria e Punëve të Jashtme me anë të një njoftimi për mediat bëri të ditur se një delegacion i përbashkët i Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë të hënën e ardhshme. Qëllimi i kësaj vizite është që të shkëmbehen pikëpamjet në lidhje me legjislacionin dhe praktikën zgjedhore shqiptare.

Sipas njoftimit në datën 24 tetor 2011, zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto,do të presë në takim delegacionin e përbashkët të Komisionit të Venecias dhe ODIHR, i kryesuar nga sekretari i Komisionit të Venecias, Thomas Markert.

Vizita e delegacionit të Komisionit të Venecias do të zgjas dy ditë dhe qëllimi i vizitës është hartimi i një opinioni të përbashkët të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it, lidhur me përmirësimet që mund t`i bëhen legjislacionit elektoral dhe praktikave zgjedhore në Shqipëri, bazuar kjo në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës.

Delegacioni përbëhet me përfaqësues të Komisionit të Venecias, Pieter Van Dijk Anëtar, Holland, Oliver Kask – Anëtar, Eston, Konrad Olszeëski – Ekspert, Poloni, Thomas Markert Drejtor, Sekretar i Komisionit të Venecias, Pierre Garrone Shef i Divizionit të Zgjedhjeve dhe Referendumeve, Sekretariati i Komisionit të Venecias, ndërsa nga OSBE/ODIHR-i do të jenë, Armin Rabitsch Këshilltar i lartë zgjedhor, z. Richard Lappin Këshilltar Zgjedhor, dhe Marianna Skopa Eksperte Ligjore.

Zyra e Këshillit të Evropës me anë të një deklarate për mediat bënë të ditur se pas kësaj vizite, do të finalizohet një draft-opinion (i përgatitur bashkërisht nga raportuesit e Komisionit të Venecias dhe ekspertët e OSBE/ODIHR-it) dhe do të dorëzohet në Komisionin e Venecias për miratim të mundshëm në seancën e saj plenare të dhjetorit 2011, në praninë e Sekretarit të Përgjithshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›