Topi vs. Topalli
Besnik Sinani
Pas dështimit të rradhës të kastës politike për të aritur standartet e vendosura nga Brukseli për të afruar vendin drejt integrimit në Bashkimin Evropian (BE), politikanët kanë filluar ping-pongun e akuzave kundra njëri-tjetrit, akuza të cilat kanë marë këto ditë edhe tone krahinore e fetare.
Mësojmë se Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka akuzuar Presidentin Topi se ai është pjesë e një celule anti-evropiane, akuzë të cilës Topi i është përgjigjur duke thënë: Spikeret kanë një detyrë, të recitojnë bukur atë që u shkruhet. Por në rastin konkret, spikeri duhet të mësojë të flasë pastër e korrekt gjuhën shqipe. (Përkthim: Topalli akuzon Topin se është kthyer në aleat të Edi Ramës, ku qeveria po faturon derën e përplasur në fytyrë nga Brukseli. Topi përgjigjet duke thënë se Topalli po shërben si papagall i akuzave të Berishës, po dhe këtë punë nuk di ta bëjë mirë.)
Zyra për shtyp e Kuvendit ka reciprikuar flakë për flakë: Topalli flet me krenari dhe vetëdije gjuhën më të bukur si Fishta. Topalli flet gjuhën e Kol Idromenos, Migjenit dhe Gurakuqit. Haxhi Qamili se kupton dot gjuhën që flet Topalli.
Zgjedhja e Haxhi Qamilit për të shënuar anti-evropianizmin e supozuar të Presidentit nuk është e rastësishme, pasi kjo figurë është investuar si një lloj fenomenologjie binare shqiptare që i kundërvihet fenomenologjisë të Skënderbeut. Kontribues të këtij ligjërimi nuk janë vetëm politikanët, por dhe emra të njohur si shkrimtari Ismail Kadareja, Arber Xhaferri etj. Kësaj retorike nuk i kanë munguar asnjëherë tonet religjioze për fenë e mirë evropiane dhe fenë e keqe orientale.
Topalli po përdor një armë tashmë të njohur në retorikën politike shqiptare, çfarë Ervin Hatibi quan islamizim me dhunë i armikut politik, duke mbivendosur insinuata për anti-evropianizëm e regres me prejardhjen krahinore (Shqipëria e Mesme) dhe fetare (Islami) të Presidentit Topi: si Haxhi Qamili. E gjitha kjo bëhet teksa pretendohen prej saj trashigimia katolike, e prej këndej pro-evropiane e prej këndej me kastë më të lartë në hierarkinë krahinore shqiptare e Shkodrës: si Fishta! A nuk u bëri thirje para pak ditësh Zef Bushati vëllezërve myslimanë që të kuptojnë rëndësinë e zgjedhjes së një presidenteje katolike?
Topalli nuk ka bërë asgjë për të pretenduar vazhdimësinë e kontributit në gjuhën dhe kulturën shqiptare të Fishtës apo Gurakuqit e Topi shkoi aq larg në përpjekjet për të treguar rolin special që politika i atribuon Vatikanit, sa që në përshëndetjen drejtuar konferencës evropiane ipeshkvore habi që nuk ka reaguar asnjë nga ata që refuzojnë rishikimin e historisë ja atriboi zgjimin kombëtar shqiptar Papa Klementit në vitin 1703.
Etiketimi (apo denoncimi) si haxhiqamilistë u lëshohet si myslimanëve ashtu dhe revizionistëve modernë të historisë, oponentëve të regjistrimit të popullsisë apo Presientit Topi. Konfuzioni e paradoksi historik që mbart kjo lloj retorike nuk është i vetmi problem këtu. Siç shohim nga deklaratat pa shije të zëdhënësve të Topallit, kjo lloj retorike përdoret për të ngritur pretendime supremacie mbi baza fetare e krahinore. Në të njëjtën klimë ligjërimi politiko-fetar, një politikan demo-kristian, Zef Bushati, paraqet prejardhjen katolike të Topallit si kredencial primar të kurikulumit të saj politik në ambicjen për kariken e presidentit.
Harron Bushati që shqiptarët kanë patur president Moisiun në të njëjtën kohë që kishin dhe kryeministër Fatos Nanon dhe nuk u dëgjua ndonjë protestë e vëllezërve myslimanë shqiptarë? Qysh kur duhet të fillojnë shqiptarët ti kushtojnë vëmendje përkatësisë fetare të politikanëve, gjë që vetë politikanët po e bëkan?
Të thuash që politikanët shqiptarë janë të papërgjegjshëm nuk ke thënë asgjë të re. Por nuk mund të lihet pa vënë në dukje kjo nxitje e politikave komunitare mbi baza krahinore e fetare, ku u bëhet thirje shqiptarëve të vendosen në llogore identitare që vendosin kundra njëri tjetrit trashigimtarët e supozuar të Gjergj Fishtës dhe Haxhi Qamilit.
Fatkeqsisht njihet botërisht taktika e nxitjes së solidariteteve të tilla komunitare në kohë krizash apo dështimesh politike, por janë përherë të rrezikshme dhe përçarëse. Topalli e Topi nuk janë trashigimtarët e Fishtës dhe Haxhi Qamilit, por përfaqsues të dështimit tonë bashkohor për të ngritur një shtet ku politikanët vihen para përgjegjsisë për punën që bëjnë, pa u faturuar dështimet fantazmave të klonuara nga e kaluara.