E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi Zgjedhor, të vegjlit propozojnë ndryshime

24/08/2009  Disa muaj pas ndryshimeve të fundit ligji për zgjedhjet do u nënshtrohet ndërhyrjeve të reja

Partia Socialiste është e vetmja forcë që nuk është pozicionuar për këtë çështje

Dy muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare partitë e vogla politike kërkojnë ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Pas ideve të hedhura për domosdoshmërinë e ndryshimit të këtij ligji, disa parti kanë kaluar edhe në propozime konkrete. E vetmja parti, e cila nuk është deklaruar deri tani për këtë çështje është Partia Socialiste, e cila ka edhe veton kryesore për miratimin e tij në Kuvend. Ligji për zgjedhjet u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë para 8 muajve, në fund të dhjetorit të vitit që shkoi. Ai kërkon tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për t’u miratuar.

Propozimet

Çelja e legjislacionit të ri shqiptar pritet t’i rifutet një debati të bërë dhe ribërë edhe në legjislaturat e mëparshme, ajo për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Ndonëse u vlerësua më i miri i mundshëm, gjatë hartimit të tij me konsulencën edhe të OSBE-së, ligji i cili u përdor në zgjedhjet e 28 qershorit shfaqi problemet e tij. Për këtë, partitë të cilat mundën të fitojnë garën elektorale dhe të sigurojnë nga një mandat në Parlament, hedhin propozimet e para konkrete. “Një sistem proporcional, ndoshta edhe ky rajonal, i ndarë në 7 qarqe me nga 20 deputet, për të mos krijuar disporpocion në qarqe dhe njëkohësisht preferencial do të ishte më i miri, sepse do të kishte një shpërndarje më të mirë gjeografike për sa i përket mandateve të deputetëve, do të kishte një garë më të ndershme të subjekteve politike dhe nga ana tjetër do u jepte mundësi njerëzve. Brenda partive politike që të ndërtonin karrierën e tyre jo në bazë të dëshirës së lidershipit politik, por në bazë të asaj që besoj qytetarët se ata mund të japin si vlerë në Kuvendin e Shqipërisë dhe në jetën politike të vendit”, - propozon kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Ky i fundit është i vetmi kandidat i kësaj partie që mundi të zërë një vend në parlamentin e ri. Edhe kryetari i partisë “Për drejtësi dhe integrim”, Tahir Muhedini, forca politike e të cilit gjithashtu ka fituar një mandat në zgjedhjet e fundit, vlerëson se Kodi Zgjedhor duhet ndryshuar. “Ky kod për mua është shumë i mirë, por mendoj që aty ka një farë abuzimi, dhe kjo duhet rregulluar”, - deklaron ai. Deri më tani e vetmja parti, e cila ka kërkuar ndryshimin e kodit ka qenë LSI, kryetari i së cilës, Ilir Meta, jo më larg se dy ditë më parë përsëriti se “LSI-ja është tërësisht e disponueshme për të zhvilluar në kohën e duhur një reformë zgjedhore, që i arrin ato standarde, të cilat rezultuan si të mangëta edhe në këto zgjedhje, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me administrimin e procesit dhe formulave të ndryshme për llogaritjen e mandateve të deputetëve”.

PD-PS

Partia Demokratike ndonëse nuk ka bërë propozime konkrete është shprehur e hapur për shikimin e mundësisë për ndryshime në kod. Kryeministri Berisha deklaroi pas zgjedhjeve se ky sistem zgjedhor i hoqi mundësinë PD-së për të pasur një grup më të madh parlamentar. E vetmja që nuk është pozicionuar për këtë çështje mbetet PS-ja.

Kuvendi i ri

Axhenda e ngjeshur e fillimlegjislaturës

Dhjetë ditë na ndajnë nga çelja e legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët pritet ta shoqërojnë edhe zhvillime të rëndësishme politike brenda dhe jashtë saj. Punimet e Parlamentit në të gjitha sesionet e tij e presin një axhendë e ngjeshur, e cila pas krijimit të qeverisë dhe ngritjes së organeve të reja të Kuvendit do t’i hyjë punës për miratimin e ligjeve që do të synojnë realizimin e shumë reformave në fusha të ndryshme me qëllim liberalizimin e procesit të vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Ndër projektligjet më të para që do të hyjnë në Kuvend, sipas deklarimeve të kryeministrit Berisha do të jetë ai që u heq të gjithë zyrtarëve të shtetit privilegjin për të mbajtur makina personale, duke shkurtuar në këtë mënyrë shpenzime të konsiderueshme. Këto do të synojnë mbushjen e arkës së shtetit të boshatisur disi nga fushata elektorale. Edhe reforma e pronës do të jetë një tjetër synim i qeverisë aktuale për të rritur ekonominë e vendit dhe veçanërisht të prodhimit vendas. Nuk mbeten jashtë vëmendjes edhe projekte, të cilat dhe pse kanë bërë më pak bukë gjatë shqyrtimit dhe miratimit të tyre në qeveri, janë stivosur pranë zyrave të Kuvendit dhe presin kalimin e tyre në sitën e deputetëve të rinj parlamentarë menjëherë në shtator.

Kodi i 2003-it

Në qershor të vitit 2003 Kuvendi i Shqipërisë miratoi Kodin Elektoral i njohur nga partitë e vogla si kompromisi mes dy partive të mëdha, i kryesuar nga bashkëkryetarët Et’hem Ruka (PS) dhe Jemin Gjana (PD). Partitë e vogla, atëherë nëntë të tilla, përgatitën një skemë sulmi ndaj kompromisit Ruka-Gjana, duke e çuar atë në Gjykatën Kushtetuese. Ankimuesit e ndërmorën këtë hap pasi vlerësuan se amendamentet e kodit bien ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë.

Kodi 2004

Komisioni bipartizan Sherifi-Gjana, për ndryshimin e Kodit Zgjedhor në këtë vit solli ndarjen për herë të parë të ndarjes territoriale në 100 zona zgjedhore. Komisioni ka arritur në një konsensus për këtë ligj pas ndërhyrjes së OSBE-së. Në këtë kod, si një nga debatet e forta mes PD-PS-së përmendim edhe çështjen e formulës së vendimmarrjes në KQZ. Pas propozimit të OSBE-së formula u përcaktua 5 me 2 për rastet e miratimit të listës së deputetëve të dalë nga proporcionali dhe për shpalljen të paflefshme të zgjedhjeve.

Kodi 2008

Komisioni i fundit dypalësh për amendimin e Kodit Zgjedhor, i kryesuar nga Ilir Rusmali dhe Kasriot Islami e nisi punën e tij që nga mesi i vitit 2007. Por futja e Kuvendit të Shqipërisë në zhvillime të rëndësishme, siç ishte zgjedhja e Presidentit të Republikës, e shtyu atë për një kohë të më vonë. Debatet politike për formulat politike dhe zvarritjet e vetë forcave politike bëri që finalizimi i këtyre ndryshimeve të realizohej vetëm në fund të vitit 2008, afërsisht një vit e gjysmë më vonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›