E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëpunim për të afruar vendimin drejt Bashkimit Evropian

24/08/2009  Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, vlerëson aleancën PD-LSI

Bregu kërkon nga PS-ja të japë kontributin e saj në reformat integruese

Aleanca e re politike mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila do të konkretizohet së shpejti me formimin e një qeverie të përbashkët, vlerësohet pozitivisht nga ministrja e Integrimit Majlinda Bregu. Ajo komenton se bashkëpunimi i ri do të jetë i suksesshëm. Gjithashtu, Bregu e vlerëson si të suksesshëm frymën konsensuale, të cilën e përcjell pikërisht përfshirja e një force të majtë politike në qeveri. “Me këtë synim besoj se do të jetë një koalicion qeverisës, i cili do të funksionojë suksesshëm për ta afruar vendin sa më mirë, sa më cilësisht dhe sigurisht edhe me shpejtësi, aq sa mund të bëjmë dhe nga sa varet nga ne, pranë Bashkimit Evropian”, vlerësoi ministrja e Integrimit në një intervistë televizive. Por Bregu shprehet e vetëdijshme se reformat e rëndësishme, të cilat do të afrojnë vendin më shumë me Bashkimin Evropian, nuk do të mund të arrihen pa mbështetjen e Partisë Socialiste. “Do të ishte shumë mirë që kjo frymë e përgjithshme konsensuale e përfaqësuar, e qenë prezentë dhe e konfirmuar në Parlament edhe në legjislaturën, e cila sapo përfundoi, të jetë një linjë vazhdimësie edhe për deputetët e Partisë Socialiste, të cilët do të jenë në Parlament”, ka deklaruar ajo. Ministrja e Integrimi kërkon më shumë përgjegjshmëri ndaj deputetëve socialistë. Por mbi të gjitha ajo vlerëson si të paarsyetueshëm qëndrimin e kryetarit socialist Edi Rama ndaj rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe të gjithë atij procesi. “Jo vetëm që kanë humbur një shans për të qenë pjesë e një të ardhmeje dhe një historie politike në Shqipëri, por humbasin shansin për t’u vlerësuar dhe për t’u pikërisht në këtë proces, i cili është procesi më i rëndësishëm e jetik për shqiptarët”, tha ministrja Bregu.

Reformat

Ministrja e Integrimit shprehet më se koshiente për nevojën e bashkëpunimit me grupin parlamentar të Partisë Socialiste gjatë legjislaturës së ardhshme, për të mundësuar vijimin e reformave të domosdoshme për të mundësuar procesin e integrimit e vendit në Bashkimin Evropian. Sipas saj, grupi i deputetëve të PS-së duhet të vazhdojë frymën e përgjithshme konsensuale të konfirmuar në legjislaturën, e cila sapo përfundoi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›